A do të marrë pjesë VV-ja në takimin e thirrur nga presidenti, flet Albulena Haxhiu

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci dje ka njoftuar se javën e ardhshme do t’i ftojë partitë për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve, gjashtë ditë pas dorëheqjes së parpritur të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ballkani.info ka kontaktuar me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të kuptuar nëse VV-ja do të marrë pjesë në këtë takim.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në një konsultim që ka për qëllim zgjedhjen e ndonjë mandatari të ri, pa zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt, ne i kemi bërë thirrje Presidentit, që sa më parë të caktojë datën e zgjedhjeve. Ne nuk do të marrim pjesë në ndonjë konsultim që ka për qëllim ndonjë mandatar të ri, pa zgjedhje të jashtëzakonshme. E kemi thënë këtë edhe publikisht, e përsërisim sërish se Vetëvendosje, në të vetmin takim ku do të marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje është takimi ku caktohet data e zgjedhjeve, dhe jo të tjera”, tha Haxhiu për Ballkani.info.

Rreth njoftimit të Presidentit, kanë reaguar partitë e tjera, të cilat thanë se kjo është një përgjegjësi kushtetuese e Presidentit, por bënë të ditur se nuk kanë marrë ende një ftesë për këtë takim.

Debati për datën e re të zgjedhjeve ka filluar, një javë më parë, kur Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje të papritur, pasi u ftua të intervistohet nga Gjykata Speciale në Hagë./Ballkani.info/

loading…