A do të dëmtohet Liverpooli? Klubet e Premierligës duan të anulohet sezoni

Një numër i klubeve të Premierligës duan që sezoni aktual 2019/20 të anulohet menjëherë, për shkak të krizës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit. Ato klube duan që sezoni të rinisë nga fillimi kur të përmirësohet situata, pa marrë parasysh që kjo do të thotë se Liverpoolit do t’i mohohej titulli i parë i kampionit të Anglisë në 30 vjet.

Skuadra e Jurgen Kloppit, që radhitet me 25 pikë në krye tabelës së Premierligës, është vetëm dy fitore larg shpalljes kampione e Anglisë, trofe ky që i ka munguar Liverpoolit në tri dekadat e fundit, transmeton Gazeta Express.

Përkundër që Liverpooli e ka krijuar këtë dallim të madh me kundërshtaret në Premierligë, djemtë e Klopp nuk e kanë të sigurt marrjen e një trofeu në fund, për shkak të dyshimeve të shtuara se a do të mundë të përfundohet sezoni aktual shkaku i krizës së koronavirusit.

Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur 536,373 njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur gjithsej 24,112.

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20.

“Një numër i klubeve të Premierligës duan që sezoni aktual të përfundohet menjëherë dhe të rinisë nga fillimi sapo të përmirësohet situata – edhe nëse kjo do të thotë që Liverpoolit t’i mohohet titulli i parë në 30 vjet”, shkruan The Athletic.