A do ta presë FC Prishtina 100 vjetorin e themelimit si kampione?

Kur kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit të Kosovës në futboll, FC Prishtina krejt në fund e ka marrë kryesimin dhe tani po avancon në luftën për titullin e kampionit në garë me Dritën e Ballkanin.

Bardhekaltrit prijnë me 72 pikë dhe ndiqen nga gjilanasit e Dritës që i kanë tri pikë më pak. Kurse, Ballkani duket të jetë dorëzuar pasi ka ngelur pesë pikë prapa Prishtinës, të cilën e viziton në xhiron e fundit, sikurse Dritën që e viziton në këtë fundjavë.

Kështu, titulli tani gjendet në mes Prishtinës e Dritës.

Bardhekaltrit para vetes e kanë një shans jetik për ta fituar titullin e kampionit, të cilin nuk e kanë shijuar qe gati tetë vjet, pasi nuk ka arritur ta fitojë në shtatë edicionet paraprake – pak për fajin e vetë, e pak për faj të faktorëve tjerë të jashtëm nga klubi.

Dihet se Prishtina është klubi me historinë më të bujshme në futbollin kosovar, pjesë e së cilës janë trofetë e shumtë, ish futbollistë legjendarë dhe periudha të krenarisë së shqiptarëve të Kosovës në kohën e Ish-Jugosllavisë.

Prishtina e dominon futbollin e Kosovës edhe pse titullin e kampionit nuk e ka fituar në shtatë edicionet e fundit. Prej vitit 1991, kur futbolli i Kosovës është mëvetësuar, klubi nga stadiumi legjendar “Fadil Vokrri” i ka fituar dhjetë 10 të kampionit dhe 7 Kupa shtetërore.

Tani klubi bardh e kaltër po shpreson shumë që ta kthejë titullin në kryeqytet, i cili në vitin e ardhshëm do të ketë festë të madhe. Express shkruan se FC Prishtina do ta kremtojë 100 vjetorin e themelimit të saj. Dhe festën dëshiron ta pres e ta përcjell ashtu siç i ka hije asaj – si kampione.  

Si e tillë dëshiron ta zhvillojë edhe një miqësore në vitin e ardhshëm, për ditëlindjen e saj, ndaj ndonjë skuadre madhështore evropiane.