Protestë

A do protestojë VV-ja me flamuj të Kosovës? Dikur nuk shihej asnjë në tubimet e saj

Vetëvendosje organizoi sot në sheshin e Prishtinës “prova” të një proteste të paralajmëruar qysh kohë më parë, e që do ishte një tubim si rrjedhojë i një vendimi të Kushtetueses që nuk do ta favorizonte partinë e Kurtit.

Vetëvendosje nuk do ta ndalet me kaq. Ditëve në vijim, ky subjekt politik siç edhe paralajmëruan zyrtarë të saj, do t’i mbajë edhe disa prova tjera, kësaj radhe me 1 mijë e 500 persona në shesh, pavarësisht se jemi në kohë pandemie dhe kjo mund ta rrezikojë shëndetin e qytetarëve pjesëmarrës, mirëpo edhe të tjerëve, shkruan lajmi.net.

Sidoqoftë, VV e Albin Kurtit pritet që në sheshet e Prishtinës ta mbajë edhe organizimin qëndror protestues, ashtu siç rëndom ka bërë viteve të kaluara. Mirëpo, ajo çka mund të dallojë kësaj radhe, janë simbolet që mund të shohim në tubimet e VV-së.

Viteve të kaluara, kur Vetëvendosje protestonte në Prishtinë, e në raste të shpeshta edhe dhunshëm, përveç flamujve të Shqipërisë, e diku diku edhe disa të shteteve mike, nuk mund të shihje askund flamuj shtetëror të Kosovës, apo diçka që ndërlidhet me shtetësinë.

Por kjo mund të ndryshojë kësaj radhe. Kurti gjatë këtyre ditëve që ishte në qeveri, ndërroi edhe qëndrimet e tij për flamurin e Kosovës. Në institucionet qeveritare, ku Kurti del në punë përditë, janë të vendosura gjithandej flamuj shtetëror të Republikës së Kosovës. Kurti u fotografua para tyre, mbajti takime e konferenca duke respektuar në plotni, ashtu si paraardhësit e vet ngjyrat shtetërore.

Kurti edhe në momentin kur u betua si kryeministër, iu ngrit në këmbë himnit të Kosovës, ashtu siç nuk kishte bërë asnjëherë më parë.

Megjithatë, pritet që në ditëve në vijim të shihet edhe cili do të jetë vendimi i Kushtetueses për dekretin e Thaçit që mandatoi Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.

Varësisht nga vendimi i këtij institucioni, mund të ndryshojë edhe rrjedha e planifikimeve të Vetëvendosjes për protestë, ashtu siç kishte ndodhur herën e parë, kur Kushtetuesja kishte vendosur masë pezulluese ndaj dekretit të presidentit, dhe VV kishte dalë me njoftimin për anulimin e protestës ditën kur pritej të votohej qeveria Hoti.