Ministri italian: 11 ushtarë tanë janë lënduar në veri të Kosovës, tre në gjendje të rëndë
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, është shprehur i shqetësuar për situatën në veriun e Kosovës.
Ai theksin e ka vënë te ushtarët e KFOR-it italianë 11 prej të cilëve u lënduan – dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.
“Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të angazhohet për paqen”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Situata në veriun e Kosovës ka qenë e tensionuar gjatë së hënës.
Pasi trupat e KFOR-it u vendosën afër objekteve të komunave veriore, protestues serbë filluan përleshjen e cila vazhdoi më pas.