Molliqaj: Qëllimi i Kurtit është ta kontrollojë gjyqësorin

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar ndaj postimit të fundit në Facebook të kryeministrit, ku Kurti ‘sulmoi’ Gjykatën e Prishtinës për “heshtjen ndaj kërkesës së asamblistëve për masë të sigurisë”.

Molliqaj reagimin e tij e nis me fjalinë e fundit në postimin e kryeministrit ku ka pyetur se “kush po udhëheq me pavarësinë e gjyqësorit?”.

Sipas Molliqajt nuk ka problem me mungesën e pavarësisë, po çështja është si ta kontrollojë ai [Kurti] gjyqësorin.

Postimi i plotë i Molliqajt, pa ndërhyrje:

Gënjeshtra po rritet, bashkë me pushtetin

Kush po udhëheq me pavarësinë e gjyqësorit? Kështu mbaron postimi i fundit i kryeministrit sot. Pyetja këtu e implikon përgjigjen. Nuk ka problem me mungesën e pavarësisë, çështja është si ta kontrollojë ai gjyqësorin.

Ndjeshmëria mbi dhunën më mizore që u ushtrua ndaj një 11 vjeçareje po shfrytëzohet nga pushteti për edhe më shumë dhunë. Kjo dhunë tenton të konsolidohet si dhunë shtetërore. Kemi sulm direkt për ta kontrolluar sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Kriza si mundësi. Për autokraci.

Faktet e paraqitura janë gjysmë të vërteta, ose gënjeshtra të plota. Ai e di që rasti i NPB-së për masën e sigurisë është gjykuar tashmë, në Themelore e në Apel. Kurse hienat e tij propaganduese, nga Albulena Haxhiu tek asamblistët e VV-së në Prishtinë kanë dalur gënjeshtarë mbi çdo pretendim. Çështja pra është e kryer.

Në rastin e padisë rreth energjisë elektrike, përtej kohëzgjatjes, pse Kurti nuk informon për vendimin e Gjykatës Supreme? Në fund, çështja e apostrofuar aty është vendosur siç ka dashur pushteti. Por, Kurti nuk e tregon këtë fakt. Sepse insinuatat dhe shtrembërimi i fakteve janë mënyra e tij. Qëllim është kontrolli në secilën pore të shoqërisë.