DETAJE TË REJA| 43-vjeçari e vodhi veturën e ministrit Liburn Aliu në parkingun e Ministrisë

Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu i është vjedhur vetura zyrtare.

Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht se si kishte ndodhur dhe si ishte kapur i dyshuari për vjedhjen e veturës së ministrit Aliu në pikën kufitare Qafë Morinë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Demokracia.com, se i dyshuari për vjedhjen e veturës së ministrit Aliu është një 43-vjeçar me inicialet B.S., nga Kosova dhe i njëjti veturën zyrtare të Aliut e kishte vjedhur në parkingun e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Sot, më 17.08. 2022 rreth orës 04:30 në Pikën e Kalimit Kufitar- Qafë Morinë, në dalje ka shkuar automjeti i markës Audi ngjyrë e zezë. Veturat në dalje kontrollohen nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit ata kanë pasur dyshime dhe kanë kërkuar bashkëpunim nga zyrtarë policorë të PK-së. Gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është vjedhur. Vetura i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vetura drejtohej nga një mashkull, i cili kishte mungesë të dokumenteve dhe është prezantuar si: B.S., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar). Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Kurse, në Stacionin Policor ‘Qendra Prishtinë në ora 08:50 nga B.C., si ankues, është iniciuar rasti ‘Vjedhje’. Vlen të ceket se vetura kishte qenë e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë për Demokracia.com.

Më anën tjetër edhe burime të Demokracia.com, kanë dhënë detaje duke treguar se i dyshuari është Bastri Sadriu nga Obiliqi.

“Vetura është ndalur në dalje të Qafë Morinës me dy palë targa 3Z-184-13 dhe 01-902-SH, ngjyrë e zezë ku targat 01-902-SH i kishte të vendosura në vendin e caktuar në automjet dhe sipas lejes së qarkullimit ishte pronë e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Mirëpo, personi i cili e ngiste nuk kishte dokument identifikimi dhe sipas tij ai është Bastri Sadriu i lindur më 14.05.1979, me adresë banimi në Obiliq. Personi kishte sjellje të dyshimta dhe gjatë bastisjes në xhepin e tij i është gjetur një kaçavidë. Në automjet nuk vërehej ndonjë dëmtim përveç që kishte rroba të shpërndara në bagazh ashtu dhe në ulëse të automjetit”, kanë thënë burime brenda pikës kufitare për Demokracia.com.