Kusari-Lila e Haradinaj përplasen në Kuvend: Ke kaluar në 5-6 parti, në secilën ke dalë e zonja

Kryetari i Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit për shkak të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kusari-Lila e ka kritikuar Haradinajn për qëndrimin e tij karshi qeverisë Kurti për procesin e dialogut, teksa Haradinaj ia ka përmendur asaj kalimet në parti të ndryshme në Kosovë.

“Sa i përket partive Mimozë unë të respektojë shumë. Je shumë e shkathtë. Ti ke qenë e zonja dhe në çdo parti ke dal e zonja. Edhe në VV ke hyp. Je kryetare e Grupit Parlamentar, urime. E di se i ke kalu nja 5-6 parti. Ne jemi parti e vogël është e vërtet, por aq sa jemi zërin tonë e kemi”, tha ai.

Fillimisht Kusari-Lila i reagoi Haradinajt, pasi ky i fundit e ka kritikuar Qeverinë Kurti se po e zhvillon dialogun me Serbinë vetëm në nivelin teknik.

Ajo tha se ka pritur nga Haradinaj një reflektim për shkak të bagazhit të tij politik dhe luftarak e kjo shpërfaqje të egos politike, siç tha ajo.

“I nderuar z. Haradinaj si kërkues i kësaj seance dhe propozues i këtij mocioni, si ish-kryeministër dhe njeri me kontribut të madh gjatë luftës në Kosovë si në aspektin personal ashtu edhe familjarë, kisha pritur një reflektim më serioz , një qasje më unifikuese dhe një thirrje për unifikim  në vend se të një shpërfaqje të egos politike”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila tha se sot është dashur që në Kuvendin e Kosovës të dënohej heshtja e Rusisë karshi agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Është dashur që sot do të duhej Kuvendi i Kosovës të mblidhej dhe në një zë unifikues të dënonte heshtjen e deritanishme të Serbisë ndaj agresionit rus në Ukrainë. Është po e njëjta shkollë dhe i njëjti model”, tha më tutje ajo.