Malisheva vazhdon me fitore në Superligë, mposht Feronikelin
Malisheva ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në futboll.
Të shtunën në stadiumin “Liman Gegaj” skuadra e drejtuar nga trajneri Arsim Thaçi mposhti Feronikelin me rezultat 1:0.
Pjesa e parë e ndeshjes u dominua nga nikoqirët që kishin mundësi të mira shënimi, por që nuk arritën t’i konkretizonin.
Në minutën e 10-të Hasan Hyseni nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë.
Te skuadra nga Drenasi rrezikoi mesfushori Behar Maliqi, por pa sukses duke bërë që pjesa e parë të mbyllet 0:0.
Në pjesën e dytë vendasit arritën të kalonin në epërsi.
Në minutën e 62-t, Donart Vitija shënoi një gol të bukur me kokë për të kaluar në avantazh vendasit 1:0.
Pas golit të pësuar futbollistët e Feronikelit kërkonin të barazonin rezultatin, por ishte mbrojtja vendase që nuk lejoi të mposhtej.
Me këtë fitore, Malisheva ka 10 pikë pas pesë xhirove, ndërsa Feronikeli gjashtë sosh.
Në xhiron e ardhshme Malisheva e pret Ballkanin, ndërsa Feronikeli në shtëpi do të jetë nikoqir i Prishtinës.