Lëndimi i Neymarit nuk është serioz
Neymar mbrëmë pësoi një lëndim në ije në takimin miqësor që Brazili e zhvilloi me Kamerunin, por sulmuesi i Paris Saint Germain është i bindur se dëmtimi nuk është serioz.
26 vjeçari u zëvendësua pas vetëm 8 minutave në ndeshjen ndaj kombëtares afrikane që u fitua nga “Selecao”, ndërsa te klubi parisien u shqetësuan para ndeshjes vendimtare në Champions League kundër Liverpoolit.
Neymar përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi se lëndimi nuk është serioz teksa i uroi bashkëlojtarët për performancën e treguar gjatë këtij viti.
“Ne e mbyllëm vitin të lumtur me punën që e kemi bërë. Ndeshjet e fundit ishin të rëndësishme për të lënë prapa zhgënjimin e Kampionatit Botëror. Ne mbetemi të fortë, të koncentruar dhe synojmë të bëhemi më të mirë. Urime djema për gjithçka. I falenderoj të gjithë për mesazhet e dërguara, mendoj se nuk ishte diçka serioze”, tregoi Neymar.
Paris Saint Germain pritet të paraqitet në fushë pa Neymarin për ndeshjen e së shtunës në Ligue 1 përballë Touluse, ndërsa shpresohet që ylli brazilian të riaftësohet për takimin me Liverpoolin javën e ardhshme në Champions Leauge.