Zyrtarët e VV’së thonë se komunat mund të flasin me ambasada vetëm përmes MPJ’së

Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, i është ëprgjigjur kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit, i cili tha se MPJD ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të mos iu shkruajnë ambasadave të Kosovës nëpër botë, por të drejtohen tek Ministria e Jashtme. Ahmeti ka thënë se Kushtetuta dhe Ligjet askund nuk e thonë që komunat duhet t’iu shkruajnë drejtpërdrejt ambasadave.

“Askund në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet relevante nuk parashihet dërgimi i drejtpërdrejtë i kërkesave apo udhëzimeve nga institucionet lokale të vendit tonë, në drejtim të Ambasadave të Republikës së Kosovës. Po të ishte ndryshe, ekzistenca e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk do të kishte kuptim”.

“Është pikërisht MPJD institucioni në të cilit Komunat dhe Qendrat e tyre Operative duhet t’i adresojnë kërkesat e tyre për çështje të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me Shërbimin e Jashtëm të Republikës sonë”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.

Ahmeti ka shtuar se deklarata e kreut të Gjilanit është thjeshtë konstatim i faktit që MPJD po e zbaton hierarkinë institucionale të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligje të vendit.

Një letër që ia ka dërguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, ka nervozuar kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili e ka kritikuar ashpër këtë sjellje të shefit të diplomacisë kosovare, Glauk Konjufca.

Haziri mbrëmë në një intervistër për Reporteri.net ka treguar se si MPJD ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të mos iu shkruajnë drejtpërdrejtë ambasadave të Kosovës në botë, por të drejtohen tek Ministria e Jashtme.

“Nuk kanë të drejtë me u sjellë ashtu. Nuk kanë të drejtë me ju thanë kryetarëve të komunave që nuk guxojnë të komunikojnë me Ambasada. Kjo ka ardhur me shkrim në Gjilan që komunat nuk kanë të drejtë me komunikua drejtpërdrejt me ambasada”, ka thënë Haziri.