Mbahet marshi kundër kancerit të gjirit, kërkohet rritja e buxhetit
Me moton “Zbulimi Hershëm – Mbijetesë”, për të dymbëdhjetën herë me radhë në kryeqytet është organizuar marshi tradicional kundër kancerit të gjirit. Kjo me qëllim të ndërgjegjësimit ndaj kësaj sëmundje. Nga aty u është bërë thirrje institucioneve që ta kenë prioritet rritjen e buxhetit për qendrat që trajtojnë këtë sëmundje.
Nafije Latifi nga Qendra Kosovare për luftimin e Kancerit të Gjirit, “Jeta Vita”, ka bërë thirrje që gratë të mos presin për trajtime onkologjike. Sipas saj, ky marsh tash e saj vjet po sensibilizon gratë e atakuara me këtë sëmundje, e po ashtu gjithë popullatën.Ajo u bën thirrje të gjitha grave, që të bëjnë kontrolle dhe të jenë të forta përballë kësaj beteje.
E pranishme në këtë organizim ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga. Ajo tha se vetëm në Kosovë gjatë këtij viti, në periudhën janar dhe korrik, janë lajmëruar 912 raste me kancer, prej të cilave 211 janë me kancer të gjirit. Jahjaga tha se rritja e numrit të të prekurve me këtë sëmundje duhet të reflektojë në ngritjen e vetëdijes, shtimin e rasteve parandaluese dhe diagnostifikimin në kohë.
Arnisa Osmani, e cila i ka mbijetuar kësaj sëmundje, ka këshilluar gratë pjesëmarrëse që të shkojnë në kontrolla dhe ta duan jetën.
Para katër viteve Selimi Bytyqi u diagnostifikua me kancer. Ajo për KosovaPress thotë se në këtë marsh tradicional, për çdo vit po takohet me shoqet e saj, duke ndarë përjetimet që u kanë mbetur nga kjo sëmundje.
Këtij marshi me një qëllim iu bashkuar edhe Violeta Zatriqi, kirurge plastike rekonstruktiv. Ajo tha se sot është këtu për të informuar të gjitha femrat që në QKUK, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, po u ofrohet mundësi rindërtuar gjirin, e të gjitha këto sipas saj po bëhen falas.
Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë.