Nga 8 shtatori shqiptarët mund të udhëtojnë me patentat e tyre në Itali

Ashtu siç ishte lajmëruar rreth dy ditë më parë, patentat shqiptare do të njihen edhe në shtetin Italian.

Lajmin e ka konfirmuar këtë të enjte Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, i cili përmes një postimi në rrjetin social është shprehur se marrëveshja mes dy vendeve hyn në fuqi më 8 shtator të këtij viti.

STATUSI I CAKAJT:

Një lajm shumë i mirë për shqiptarët në Itali

Më në fund mbaroi edhe marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit që do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019

Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit.

Gjithashtu, shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit.

Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete të tjera evropiane. Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me përpikëmëri! Për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende.

Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë.

loading…