Hasani: Me kërkesën në Kushtetuese Haradinaj po e zvarrit procesin

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në intervistën 45/45 në KosovaPress, deklaroi se kryeministri, qoftë kur është në detyrë të plotë ose më vonë kur jep dorëheqje, nuk ka drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, veprimi i Haradinajt për të dërguar veten në Kushtetuese nuk është vetëm humbje kohe, por ajo e legjitimon zvarritjen e procesit të formimit të një Qeverie të re ose shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Profesori universitar tha se Haradinaj nuk është këshilluar si duhet.

Duke përmendur rastin e ish-kryetarit të Rahovecit Qazim Qeska i cili shkoi në Kushtetuese, Hasani tha se i njëjti vendim vlen edhe për Haradinajn.Ai tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë efekt të përgjithshëm veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit të institucioneve publike.

“Këtu ka dy aspekte që këta i kanë ngatërruar ata që e kanë këshilluar për fat të keq ish-kryeministrin Haradinaj, i pari aspekt është natyra juridike që thajmë ne e aktit të dorëheqjes, sa i përket natyrës juridike dhe pasojat që prodhon akti i dorëheqjes ne kemi sqaruar në një rast të një ish-kryetari të Komunës rasti ‘Qeska’, që vlen siç e kemi thanë ne atëherë për të gjithë funksionarët publikë sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë efekt të përgjithshëm veçanërisht ato që kanë të bëjnë me institucionet publike në mënyrën e funksionimit të institucioneve publike. Për nga natyra juridike akti i dorëheqjes dhe akti i suksesshëm i mocionit të votimit të mosbesimit të Qeverisë janë të njëjta”, tha ai

Profesori Enver Hasani deklaroi se kur një qeveri jep dorëheqje do të thotë se ajo ka rënë dhe rrjedhimisht nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë kushtetuese.

“Kur jep dorëheqje Qeveria bie kur thuhet bie do të thotë kushtetuta e jonë dhe kushtetuta e shumicës së vendeve demokratike nënkupton me të se ajo Qeveri nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë kushtetuese të ekzekutivit aty ku mundë të ushtrojë aty ekzistojnë ligjet e veçanta… Ato punë që mund t’i kryejnë mundë të jenë punë që janë të papërfillshme prape po e përsëris kompetencat ekzekutive ose kompetencat kushtetuese nuk mundë t’i kryejë”, vijoi Hasani.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese deklaroi se veprim i Haradinajt nuk është vetëm humbje kohe, por po e legjitimon zvarritjen e procesit të formimit të një Qeverie të re ose shpërndarjen e Kuvendit.

“Kërkesa Haradinajt nuk është vetëm humbje kohe por ajo e legjitimon dhe po e legjitimon zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë, sipas kushtetutës të Qeverisë tjetër përkatësisht vet shpërndarjen e kuvendit”, tha ai.

loading…