Hysaj i bashkohet Sarrit te Juventusi?
Maurizio Sarri tashmë ka në xhep një marrëveshje me Juventusin dhe po pret vetëm të lirohet nga Chelsea.
Pastaj, do të jetë koha për të planifikuar merkaton e transferimeve si “timonier” i Juventusit, nëse gjithçka shkon sipas planeve aktuale të “Zonjës së Vjetër”.
Siç është raportuar nga “Corriere dello Sport”, Maurizio Sarri mund të shoqërohet nga një emër i papritur te Juventusi. Bëhet fjalë për Elseid Hysaj, i besuari i trajnerit toskan që tek Empoli dhe Napoli.
Mbrojtësi shqiptar ka njoftuar tashmë lamtumirën nga nënkampionët e Italisë, kësaj vere, dhe pret vetëm një ofertë serioze e konkrete. Për momentin, ekipi që ka treguar interesin më të madh për Hysajn është Atletico Madridi, destinacion i pëlqyeshëm për shkodranin.
Por mbrojtësi i Napolit dëshiron të presë çfarë do të bëhet me Maurizio Sarrin. Hysaj për Juventusin do të ishte një kartë e mirë për mbrojtjen, si në të djathtë, edhe në të majtë. Kështu, në kushtet e një sakrifice hipotetike të shitjes së Joao Cancelo apo Alex Sandro, Juventusi do të ishte i mbuluar me një lojtar besnik të trajnerit të tij të ardhshëm.
Ky operacion ngjason shumë me atë që solli Mattia De Sciglio te Juventusi, falë besnikërisë së lojtarit me Massimiliano Allegri. Megjithatë, për momentin, nuk ka qartësisht negociata, pasi pritet emërimi i Sarrit.