Chiellini nuk dëshiron ta shoh Conten në stolin e Interit
Giorgio Chiellini ka dhënë një intervistë të gjatë për “Tuttosport”, në të cilën analizon sezonin që po përfundon, por gjithashtu parashikon edhe të ardhmen.
Duke filluar nga trajneri i ri bardhezi, emrin e të cilit Chiellini ende nuk e di.
“Jo, nuk kam asnjë ide se kush do të jetë. Si ju, lexoj çdo ditë emra që lidhen me postin e trajnerit të Juventusit. Dhe e bukura është se gazetarët e japin lajmin, shkruajnë edhe emrin me siguri, flasin me detaje të padyshimta, por pastaj më pyesin mua për t’ua konfirmuar. Unë jam shumë i qetë në këtë drejtim, nuk di më tepër se ju gazetarët, por jam i bindur se do të jetë një trajner i madh. Ai do të jetë një emër i denjë për Juventusin dhe Juventusi do të vazhdojë të fitojë”.
Pastaj, Chiellini falënderon Allegrin dhe nënvizon punën e madhe të bërë nga trajneri livornez.
“Jam shumë i lumtur që kemi punuar me të pesë vite. Ndoshta bëri diçka të papërsëritshme, prandaj nuk do të isha i befasuar ta shihja përsëri në drejtimin e Juventusit, brenda pak vitesh. Dashuria që Max ka për Juventusin dhe anasjelltas është aq e madhe, sa nesër mund të gjenden përsëri bashkë”.
Një faktor me ndikim në këtë sezon të Juventusit ishte me siguri ardhja e Cristiano Ronaldos. Kapiteni bardhezi ka vlerësim maksimal për portugezin.
“Ai ishte një hyjni, një futbollist superior. Ardhja e tij ishte shumë e rëndësishme për të mbushur boshllëkun që na la Gigi Buffon. Cristiano është një shembull për të gjithë me përkushtimin e tij për të punuar. Ai u integrua në mënyrë të përsosur në qytet, shkon në restorant, nëna ime shpesh e ka takuar atë në qendër”.
Më pas, kapiteni i Juventusit foli edhe për shkuarjen e mundshme të Antonio Conte te Interi.
“Mua nuk më pëlqen, madje e urrej mundësinë që ta shikoj Conte atje. Sidoqoftë, është pjesë e jetës. E kuptoj se trajnerët, ashtu si ne lojtarët, janë profesionistë, por ta shoh atë te Interi, do të ishte e çuditshme për mua. Kjo nuk është kritikë, pasi të gjithë e dinë se kam një marrëdhënie të veçantë me Antonion”.
Së fundi, Chiellini pranon se karriera e tij si futbollist tani po i afrohet fundit, ndërsa e përjashton një të ardhme si trajner.
“Gjithmonë ka një fillim dhe një fund, kjo është e natyrshme. Në gusht do të mbush 35 vjeç, do të luaj edhe një apo dy vite, më duket pothuajse e pamundur të jenë tre të tillë. Më pas do doja të mbetesha pjesë e futbollit, në ndonjë pozicion drejtuesi. Nëse mendoj për të ardhmen, nuk e llogaris profesionin si trajner. Nuk mendoj se është diçka për mua”.