“Ne u larguam e Ramush Haradinaj qëndroi në front”

Në shtator të vitit 1998, pas rënies së një pjese të frontit në Zonën Operative të Dukagjinit dhe pas ofensivës së madhe të forcave serbe, ushtarët e udhëhequr nga Tahir Zemaj kishin marrë urdhër t’i dorëzonin armët dhe të largoheshin për në Shqipëri.

Kjo ishte si një kompromis me forcat serbe që të ruhej popullata e madhe që ishte përqëndruar kryesisht në fshatin Isniq të Deçanit.

Për këtë ka folur sonte Ish-komandanti i batalionit 2, Brigada 138, Fadil Hadërgjonaj.

“Për ne ishte dobësi largimi dhe trimëri qëndrimi i Ramush Haradinajt”, ka thënë ai në Dukagjin, transmeton Ballkani.info.

“Ne secili prej nesh që kemi hy në kufi e kemi vendos të hyjmë në luftë. Mbështetja nuk ka qenë si është pritur me matriale luftarake, logjistikë. Atëherë duhesh me zgjedh. Gabim është largimi, por arsyeja e tërheqja ndoshta edhe gjen arsye. Ahmet Krasniqi ka dhënë urdhër që të tërheqimi”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Hadërgjonaj thotë se komandantët e FARK-ut u paguan nga 1000 marka në muaj!!!

Ish-komandanti i batalionit 2, Brigada 138, Fadil Hadërgjonaj ka thënë se komandantët dhe drejtuesit e kësaj brigade që kanë luftuar kryesisht në Koshare, janë paguar nga institucionet e atëhershme të Kosovës.

“Jam paguar 1000 marka atëherë. Jemi paguar stafi drejtues, por assesi nuk them se jam ose jemi mercenarë. Dikush tjetër ka vendosur që ne të paguhemi”, ka thënë Hadërgjonaj në Dukagjin, transmeton Ballkani.info.

Ai ka thënë se paratë atyre ua ka sjellë Sabahate Tolaj, tash e ndjerë.

“Komandantët e nivelit më të ulët janë paguar nga 500 marka”, ka thënë Hadërgjonaj.

“Ajo ishte si lloj ndihme, sepse unë e pata lënë punën në Gjermani. S’ka të bëjë me mercenarë, sepse ne qëllimin e kishim çlirimin e Kosovës”, ka thënë tutje ai. /Ballkani.info/