834 qytetarë kanë kërkuar të kthehen në Kosovë, nesër kthehen ata nga Gjermania

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se janë 834 qytetarë që duan të kthehen në Kosovë, derisa vetëm nesër nga Gjermania do të kthehen 130 qytetarë nga Gjermania.

Ministri Abdixhiku tha se si shtet e kanë për obligim të përkujdesen për secilin qytetar të vendit, por që bëri thirrje që vetëm udhëtarët me urgjencë të marrin rrugën e kthimit në Kosovë.

Ai ka deklaruar se secili qytetarë që kthehet në Kosovë do të vendoset në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 14 ditë.

“Deri në këtë moment janë evidentuar rreth 834 qytetarë që duan të kthehen në Kosovë dhe ne jemi duke i trajtuar këto raste në mënyrë të përbashkët. MSh ka shndërruar Qendrën e Studentëve në Prishtinë në qendë r karantinimi. Secili i kthyer në Kosovë në formë të organizuar do të vendoset në këtë qendër për 14 ditë…Sot, dje dhe nesër e më tutje të gjithë qytetarët do të transportohen me mjete dhe me ndihmë të Ushtrisë dhe ushtarëve tanë. Dje e kemi kthyer ekipin Kombëtar të Boksit, sot kemi kthyer 39 qytetarë nga Stambolli, nesër presim t’i kthejmë 130 qytetarë nga Gjermania. Po e përsëris, secili nga të kthyerit do të duhet të vendoset nën përcjellje strikte në karantinë për 14 ditë”, tha ai.

Ai në një konferencë me ministrin e Shëndetësisë, tha se sot kanë zhvilluar një takim mes kryeministrit, zëvendëskryeministrat dhe disa ministri, ku tha se kanë koordinuar ndihmat shtesë ekonomike dhe financiare që i duhen Kosovës në këto momente.

Abdixhiku potencoi se të gjitha mekanizmat shtetëror janë në funksion të furnizimit të rregullt të mallrave, lehtësirave financiare për bizneset dhe për funks ionimin e mirëfilltë të mirëmbajtjes publike dhe normalizimit të jetës në një gjendje jo normale.

Sa i përket funksionimit të tij si ministër pas fillimit të mocionit nga LDK për rrëzimin e Qeverisë, Abdixhiku tha se derisa është ministër do ta bëjë punën e tij.