6 vjet burgim për serbin Nenad Arsiq, këto janë krejt krimet kundër shqiptarëve në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile, Nenad Arsiq. Por, cilat janë krimet kundër kosovarëve në lagjen “Emshir” të Prishtinës, që kreu Arsiq.

Më 21 maj të vitit 1999, Arisiq bashkë me persona tjerë të forcave policore serbe, deri me tani të paidentifikuar, kishin marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptar.

Me automjete policore ata kishin shkuar në pronën e familjes Sh. në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku kishin maltretuar fizikisht e psiqikisht J.Sh. dhe S.Sh, duke i rrahur me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit.

Përveç rrahjes, Arsiq dhe pjesëtarët tjerë të policisë serbe, kishin fyer e poshtëruar kosovarët.

Të dëmtuarin J.Sh, i cili ishte në gjendje të rëndë, e kishin detyruar të pinte alkool dhe të këndonte këngë serbe.

Si pasojë e trajtimit çnjerëzsor, J.Sh. dhe S.SH., vuajne edhe sot e kësaj dite.

TË NJEJTËN DITË, Arsiq dhe persona tjerë të forcave policore serbe gjatë aksionit kundër popullatës shqiptare, kishin shkatërruar dhe përvetësuar pasurinë e banorëve të lagjes Emshir.

Ata kishin kërkuar edhe para e gjëra tjera me vlerë, me ç’rast kishin bastisur shtëpitë e familjes Sh., dhe kishin dëmtuar orenditë shtëpiake.

Ata kishin gjetur dhe përvetësuar një sasi të konsiderueshme të të hollave, sasi të mëdha të naftës, makineri bujqësore dhe vetura që i përkisnin familjes Sh. dhe të dëmtuarve tjerë, V.H dhe H.B.

Nenad Arsiq është shpallur fajtor për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

Ai do të vuajë dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 viteve, por në dënim llogaritet edhe koha që e ka kaluar në paraburgim nga data 22 tetor e vitit 2019 e tutje, ndërsa me aktvendim të posaçëm të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Rrëfimet e banorëve të lagjes “Emshir” për përjetimet nga torturat e serbëve

Arrestimi i Nenad Arsic, të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë vitit 1999 në Prishtinë, ua kishte rikthyer banorëve të lagjes Emshir edhe një herë kujtimet e rënda të luftës.

Nuk ishte larguar nga shtëpia e tij në Emshir edhe kur toka dridhej nga bombardimet e ushtrisë serbe në Prishtinë. Bashkë me gruan e fëmijët, Ahmet Mekolli, kishte qëndruar në shtëpinë një katesh në të cilën kishte strehuar edhe shumë refugjatë gjatë luftës.

Ai kishte treguar përjetimet e tij gjatë ditëve të tmerrit, rrahjen e maltretimin nga forcat serbe, e deri tek sofra e shtruar me bukë, rreth së cilës uleshin me frikë.

“Jetojmë në Emshir prej vitit 1982. Gjatë kohës së luftës kemi qëndru në shtëpi tërë kohën, vështirësitë e luftës i kemi përjetu këtu. Arsyeja që s’jemi largu ka qenë se çdo herë kemi shpresu që po bëhet mirë e nuk po vjen deri te maltretimet, por për fat të keq edhe vetë i kam përjetu ato maltretime. Kjo ka ndodhë tre apo katër ditë pas bombardimeve të NATO’s”, ka thënë Makolli.

Mekolli tregon si është rrahur nga policët serbë, në ditët e bombardimit të forcave të NATO’s në Kosovë.

“Më kanë marrë me m’çu në stacion, para se me mçu atje më kanë maltretu shumë. Kur ka fillu alarmi i bombardimeve na kanë çu në një strehimore, e prej aty na kanë liru. Unë i kam pasë brinjët e thyer, menxi kam qëndru në këmbë, por kam ardhë në shtëpi vetë. Aty e kam pasë frikën më të madhe, deri sa kam shku në shtëpi. Kanë ardhë edhe nëpër shtëpia na kanë maltretu, kanë kërku para. Edhe fëmijët i kanë maltretu, nuk kanë guxu as me qajt. Një kojshi e kanë rrah shumë, edhe nofullën e dhëmbët ia kanë thy. Kemi qëndru me frikë, gjatë tërë kohës kemi pritë kur kanë me hy në shtëpi e me na vra të gjithëve. Gruaja nganjëherë e shtronte sofrën e i ulte fëmijët rreth saj, thoshte se ndoshta kur t’i shohin duke ngrënë bukë nuk do t’i ngucin”, rrëfen Mekolli.

Ai ka treguar se ka dëgjuar për arrestimin e serbit të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në lagjen ku ai jeton, mirëpo thotë se nuk i mbanë në mend emrat e policëve serbë e as fytyrat.

E përjetimet e vitit 1999 i ka ndarë me Express edhe Beqir Igrishta, banor i lagjes Emshir. Ai ka treguar se si forcat serbe kanë bërë provokime të ndryshme gjatë tërë kohës sa kanë qëndruar në lagjen e tyre.

“Kur kanë hy policia te një kojshi, e kanë rrahë deri sa e kanë përgjakë. Më pas kanë hy në shtëpinë tonë, gruan nuk e lanë me hy në shtëpi, i thanë me nejt në korridor. Tre policë kanë hy tek unë, më provokojshin. Me automata rrishin, njëri prej policëve e foli një fjalë të pahijshme, mua më shkoi buza në gaz, ai u çu me m’ra, më tha pse po qeshë. Një kojshi ka qenë i Drenicës, kanë hy në dyqan të tij, e kanë rreh e kanë ba llom”, ka treguar Igrishta.

Igrishta ka thënë se nuk e njeh personin e arrestuar, por shpreson që ata që kanë kryer krime në Kosovë të dalin para drejtësisë.

“Jo nuk e njoh me emër, por shumë mirë me mujt me i arrestu krejt”, ka thënë Igrishta.

Ndryshe, Arsiq ishte arrestuar më 21 tetor të vitit 2019në pikën kalimtare në Merdarë.