Mëngjesin e kësaj të marte në Porti i Durrësit kanë mbërritur 527 turistë amerikanë me kroçierën “Nautica”.
Autoriteti Portual Durrës njofton se gjatë ditës turistët do të vizitojnë qendrat muzeale, arkeologjike dhe historike në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Krujës.
Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, mësohet se kroçera ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Porti i Sirios(Greqi) drejt Durrësit.
Anija turistike po kryen një tur lundrimi në 9 porte të Adriatikut dhe Jonit, kryesisht në Itali, si dhe në tre porte të Greqisë, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Nga Qendra e Informacionit, mësohet gjithashtu se anija me gjatësi 180 metra dhe flamur të ishujve Marshall u akostua në kalatën 5 sot në orën 7.30 dhe se në mbrëmje do të lundrojë drejt Dubrovnikut, Kroaci.
“Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijes dhe sigurinë e turistëve në territorin portual”, thuhet në njoftim.







