30-vjeçari nga Gjakova mashtroi të miturën se do të martohej me të, vetëm për të kryer marrëdhënie seksuale

Mbrëmjen e së hënës, Policia ka arrestuar një person në fshatin Brekoc të Gjakovës. Ai dyshohet se kishte nxitur një vajzë të kryenin marrëdhënie seksuale, duke i premtuar se do ta marrë për grua.

Për të kryer marrëdhënie seksuale me të, një 30-vjeçar nga fshati Brekoc i Gjakovës, po dyshohet se i kishte premtuar një 16-vjeçareje se do të martohej me të.

Dhe ashtu kishte ndodhur. 16-vjeçarja kishte pranuar të çonte dashuri me djalin 14 vjet më të vjetër, pas premtimit që i kishte dhënë, mëson Express nga burime brenda Policisë së Kosovës.

Por, i dyshuari nuk e kishte mbajtur premtimin, pasi ai tashmë veç ishte i martuar me dikë tjetër.

E krejt këtë ngjarje, e ka raportuar në Polici nëna e viktimës.

Ajo ka deklaruar se ka dyshime që i dyshuari ka pasur marrëdhënie seksuale me vajzën e saj.

Ndërkaq të gjitha këto dyshime, i kanë konfirmuar viktima dhe i dyshuari.

Ata e kanë pranuar se kanë pasur marrëdhënie seksuale disa herë, me premtimin se i dyshuari do të martohej me viktimën.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se i dyshuari pas intervistimit nga prokurori, është liruar.

“Fsh. Brekoc, Gjakovë 11.01.2021-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka shfrytëzuar seksualisht viktimën femër kosovare me premtimin se me të njëjtën do të martohej. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar. Rasti është duke u hetuar”, ka bërë të ditur Policia.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se vepra është iniciuar si “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”.