30 mijë tifozë turq “pushtojnë” Francën

Alarm i kuq për Francë-Turqi. Në stadiumin “Saint Denis” të kryeqytetit Paris nuk zhvillohet thjesht një ndeshje futbolli, sepse është edhe një politike (Presidenti Macron është shprehur hapur kundër ndërhyrjes ushtarake të Turqisë në Siri, ndërsa Parisi zyrtar i ka kërkuar formalisht Ankarasë të ndalë ofensivën).

Janë rreth 30 mijë tifozë turq që kërkojnë një biletë në stadium për superpërballjen e Grupit H, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Të gjithë kanë mbërritur në Paris nga Belgjika dhe sidomos Gjermania, ku komuniteti turk është shumë i fuqishëm. Ata janë gati të vërshëllejnë himnin francez dhe të përkrahin futbollistët turq me përshëndetje ushtarake.

Autoritetet franceze kanë marrë masa shtesë duke rritur numrin e agjentëve në të terren (600) dhe të stjuardëve në stadium (1400), për të parandaluar përplasjen mes dy tifozërive e veçanërisht të ultrasve të PSG-së me ata të Galatasarayt. Marsejezja do të këndohet me volum të lartë, për të mbytur vërshëllimat e mundshme të mbështetësve miq.

Në tribunën VIP do të mungojnë presidentët e vendeve respektive, Macron i Francës dhe Erdogan i Turqisë. Luhet jo vetëm kualifikimi matematik, por edhe vendi i parë në grup. Francës i duhet fitorja për vendin e parë, por edhe sigurimi sa më parë i kualifikimit, që do të rinovonte automatikisht kontratën e trajnerit Didier Deschamps.

loading…