Kur po zhvillohet java e njëmbëdhjetë e kampionatit, në Ipko Superligën e Kosovës janë kthyer ankesat, pakënaqësitë, akuzat dhe kundër akuzat.

Kësaj radhe, janë prijësit e disa klubeve elitare që janë çuar në këmbë kundër gjyqtarëve.

Sipas tyre, gjyqtarët nuk po gabojnë pa qëllim në ndeshjet kampionale. Por ndihen të dëmtuar qëllimisht prej tyre.

Madje, prijësit e klubeve ankohen se referët me gjykim skandaloz po ua çojnë poshtë investimet e tyre që po i bëjnë në futboll përmes bizneseve private me të cilat mbajnë nën menaxhim klube elitare.

Njëri prej investitorëve më të mëdhenj në këto vitet e fundit, Naser Ramaj, thotë se referët në Kosovë shiten për 3 mijë deri në 5 mijë euro. Presidenti i Feronikelit insiston se në këso afera përzihet edhe vet Federata e Futbollit e Kosovës.

“90 për qind të referëve të Superligës janë njerëz të shitur së bashku me Federatën që e bënë përzgjedhjen e tyre. Gjithë investitorët po e humbin durimin. Unë bëjë 600 kilometra të vij ta shoh një ndeshje – e kur përfundon takimi kthehesh i dëshpëruar, sepse një gjyqtar ta shet lojën për 3000€ ose 5000€. Ky është futbolli i Kosovës. Në këtë situatë na ka sjellë FFK e cila po mbikëqyrë Superligën, si dhe komisionet dhe ato të monitorimit të ndeshjeve”, ka thënë për “Blic” Ramaj.

Ai e ka akuzuar FFK-në për keqmenaxhim të futbollit në Kosovë dhe se po fshihet prapa sukseseve të Kombëtares së Kosovës, në të cilat, sipas Naser Ramajt, shtëpia e futbollit nuk e ka asnjë meritë.

Ai ka potencuar se Superligën së shpejti do ta menaxhojnë vetë klubet e Superligës e jo Federata e Futbollit e Kosovës. Për këtë projekt Ramaj ka thënë se shumë shpejt do të tubohen me të gjitha klubet elitare për t’i bërë hapat e mëtejmë.

Në mbështetje të presidentit të Feronikelit kanë dalë edhe presidentët nga Ballkani dhe Llapi. Arsim Kabashi i Ballkanit u ka bërë thirrje të gjitha klubeve që të bashkohen për t’i mbrojtur investimet e tyre nga referimi skandaloz.

Ndërsa, Beqir Batatina i Llapit ka potencuar se referimi skandaloz po ia pamundëson realizimin e projekteve milionëshe në futbollin kosovar. Andaj, edhe ai u ka bërë thirrje klubeve që të bëhen bashkë për ta luftuar të keqen.

loading…