3 anesteziologë lënë punën në QKUK, të pakënaqur me pagën prej 600 euro

Mungesa e stafit mjekësor në QKUK dhe spitalet tjera rajonale të Kosovës, është vënë në pah sidomos në këtë kohë pandemie, kur nevojiten kapacitete të shtuara për t’u përballë me një situatë me të cilën shteti ynë e as vendet tjera të botës, nuk ishin përballë kurrë më parë.

Përkundër kësaj, disa profesionistë mjekësorë kanë vendosur që në kohë pandemie ta lënë punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Së fundmi tre anesteziologë të stafit të Klinikës së Anesteziologjisë kanë lënë punën në sektorin publik.Kryeshefi i Klinikës së Anesteziologjisë, Rexhep Gjyliqi ndër të tjera ka thënë se shkak për këtë është paga e ulët prej 600 euro që ata e marrin, në krahasim me punën që bëjnë.

Ai ka konfirmuar se të tre anesteziologët janë larguar pasi kanë gjetur një vend më të mirë pune.

”Arsyeja e largimit me siguri është personale, por jo që janë të pakënaqur me kolektivin. Aty ku nuk depërton tjetërkush depërtojnë anesteziologët intenzivistë. Dhe të marrin pagën 600 euro është nën çdo nivel – sidomos kjo loja që është bërë me Ligjin e Pagave, me anulimin në Gjykatën Kushtetuese, kjo për ne është dëshpëruese.Rrezikojmë vazhdimisht veten dhe familjen, pra arsyeja e largimit është e thjeshtë – kanë gjetur vend më të mirë të punës, që iu ofrohen kushte më të mira të punës dhe pagesë më dinjitoze”, është shprehur ai për Klan Kosova.

Gjyliqi thotë se largimi i tyre do të paraqesë problem mjaft të madh duke pasë parasysh rolin e tyre për trajtimin e pacientëve me Coronavirus.

Për shkak të natyrës së tyre të punës dhe faktit se duhet të jenë prezentë në hapësirën e ngushtë ku trajtohen pacientët me Coronavirus, sidomos tek ata që janë në respiratorë, anesteziologët janë më të ekspozuarit ndaj kësaj sëmundje.

Së fundmi 8 mjekë anesteziologë të QKUK-së janë infektuar me Coronavirus.

Kujtojmë se, Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe të gjitha spitalet rajonale në vazhdimësi gjatë viteve të fundit janë përballur me mungesë të anesteziologëve.