Kosovë

28% e qytetarëve duan të largohen në pjesën e parë të vitit, në cilët sektorë ka prirje për emigrim sipas GAP

Instituti GAP ka publikuar një infografikë, përmes së cilës tregohet se cilët sektorë do të ndikohen më shumë nga emigrimi. Një anketë e realizuar nga ky Institut, tregon se rreth 28% e qytetarëve planifikojnë të emigrojnë drejt shteteve të zonës Schengennë pjesën e parë të këtij viti.

Sipas kësaj infografike, prirje për emigrim ka më shumë nga sektori i ndërtimtarisë dhe ai i hotelerisë dhe gastronimisë, raporton Express.

Pas tyre renditet sektori i tregtisë dhe ai i prodhimit.

“Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%). Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviteti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta”, thuhet në raportin e GAP.

Tutje, në raport thuhet se në këta sektorë mund të ketë rritje të pagave

“Nga shqyrtimi i literaturës për përvojat e vendeve tjera dhe shkallës së zëvendësimit të punonjësve nga sektorë të caktuar që kanë emigruar me punonjës nga shtete tjera, në rast se nuk aktivizohet një pjesë e theksuar e popullsisë në moshë pune të cilët për momentin nuk janë duke kërkuar punë, në këta sektorë pritet rritje më e theksuar e pagave krahasuar me sektorët tjerë. Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”, theksohet në raport.

Nërkohë, më së paku prirje për emigrim ka nga sektori i bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, si dhe transporti dhe depozitimi.

Për qytetarët të cilët kanë deklaruar se do të emigrojnë në tremujorin e parë të vitit 2024, destinacionet kryesore janë Gjermania me 71.4%; ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%.

Shumica e qytetarëve të cilët deklaruan se planifikojnë të emigrojnë janë të rinjë. Nga ata të cilët kanë planifikuar të emigrojnë në tremujorin e parë të 2024, 33.4% i takojnë grup-moshës nën 24 vjeç, ndjekur nga rreth 31.4% që i takojnë grup-moshës 25-34 vjeç.

BONUS VIDEO| Mblidhet Kuvendi, diskuton për emigrimin e qytetarëve nga Kosova