26 mars 1998 – as i gjallë e as i vdekur!


Në vigjilje të Festave të Nëntorit, jo rastësisht vendosa ta publikojë për herë të parë këtë rrëfim autentik të shkruar pas lirimit nga burgjet e Serbisë.

Ky rrëfim i dedikohet të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, atyre që sakrifikuan gjithçka për të realizuar ëndrrat e shumë brezave.

RASIM SELMANAJ

Ishte ora 10:00 e mëngjesit e ditës së enjte, të 26 marsit 1998-ës (dy dite pas arrestimit). Kishin kaluar dy orë duke u përballur me torturat e kanibalëve serbë, që dikur si hije nate kishin zbritur në tokën e gjenit shqiptar. Në një dhomë të katit të tretë të “SUP-it” në Pejë më kishin lidhur me pranga për radiator.

Parandieja se po numëroja çastet e fundit të jetës sime në rrugëtim. Me vete thosha – ky është çmimi i lirisë se kërkuar. Për atdhe nuk vdiset vetëm nga plumbi! Jehona e pushkëve çlirimtare, në 24 marsin e UÇK-së, më bënte të pathyeshëm. Edhe aty ndjeja aromën e lirisë dhe çmimin për Atdheun e robëruar.

Gllogjan, maj 1997, në nderim të rënies së heroit, Luan Haradinaj

Shtegtimi për një copë diell, nga marsi i pranverës ’81 deri te marsi i ’98-ës i UÇK-së ishte brumosur thellë në shpirtin tim. Disa herë në shtegtim, atdheun tim e kishin goditur furtuna e shtrëngata. Duke mos qenë një pelegrin i rastësishëm, isha nisur qysh moti drejt diellit për ta paguar çmimin e lirisë edhe më jetë. S’kisha si të mos i gëzohesha lirisë së gjakuar.

Në prapavështrim më shfaqej organizata ilegale “Shqiponja”, aty sipër pyllit të fshatit ku ishim nisur me nga një flamur në gji. Gllogjan, 8 shkurt 1980 – 24 mars 1998, dy dekada rrugëtim nëpër kohë më dukej se e kisha përqafuar diellin. Këtë mendim, si një ëndërr të mirë që po e përjetoja zgjuar, ma këputi hapja e ngadalshme e derës së dhomës hetuese.

Kush ishte ‘supovci’ shqiptar që u paraqit në dhomën hetuesi si ‘shpëtimtari’ im?

Befasisht në dhomë më shfaqet një njeri që fliste shqip. “Mos u friko nga unë!”- më drejtohet ai far “shpëtimtari” në dhomën hetuese. “Unë jam shqiptar dhe kam ardhur për të të ndihmuar”. Unë, paksa i befasuar, e shikoja me habi. “Ti s’po beson, por unë vërtet jam shqiptar dhe do të mundohem të të ndihmoj. Po e shoh se të kanë rrahur shumë, po më dhimbsesh sa s’ka më. Por, ti kështu kokëfortë, vetë po e zgjedh vdekjen nga torturat. Që të shpëtosh nga më e keqja, ti duhet të tregosh krejt çka di. Ti këtë mund ta bësh. Unë e di se je njeri me shkollë dhe i zgjuar dhe, gjithsesi, person i besueshëm i UÇK-së. Prandaj, trego për organizimin e UÇK-së, ku janë bazat e tyre dhe cilat aksione i kanë kryer më herët, nëse e do jetën!”. I lidhur me pranga dhe zinxhir për radiator, këtë soj të çoroditur e shikoja me plot urrejtje e nënçmim. Kisha vendosur të mos flisja me “shpëtimtarin”.

Njeriu i mirë i “zbritur” vazhdon të më bind se këtu si shqiptar paska ardhur për t’u ndihmuar njerëzve të pafajshëm. Ndoshta nuk e dinte ky njeri i mjerë se unë e kisha provuar shumë herë këtë “ndihmë” të udbashëve që flisnin shqip.
Këtij shpëtimtari s’i pushonte goja duke nxjerrë fjalë të “buta”, që kundërmonin ndyrësirë. Ky shqiptar paska “mësuar” se unë qenkam i martuar dhe se i paskam dy fëmijë. Gjuha e djallit “butësisht” vazhdonte misionin për të më bindur se unë duhet të flas për UÇK-në.

“Ti duhet të mendosh edhe për fëmijët, ata s’ janë fajtorë, mos e merr veten në qafë!” Kjo fantazmë më shfaqet si dikur, në të njëjtin objekt, në të njëjtën dhomë, “supovcat” shqiptarë në vitet ’81, ‘83, ‘92. Atëherë këta “shpëtimtarë” luftonin “nacionalizmin dhe irredentizmin” shqiptar, ky tani po e luftonte “terrorizmin”.

Këto role të djajve i kisha sfiduar shumë herë, mirëpo më kishte habitur fakti se si një shqiptar i pamaskuar, në atë kohë, të dalë haptas si “udbash”. Pas heshtjes vendosa t’i përgjigjem shkurt duke qenë mospërfillës ndaj mirësisë së tij: “S’kam asgjë tjetër të them përveç asaj që kam thënë tash dy net e dy ditë në hetuesi”.

Si e zbulova identitetin e udbashit Demë Muja?

As sot nuk e di kush mund të ketë qenë ai shqiptar. Por jo, këtë herë nuk ishte udbashi Demë Muja, i cili ne vitet e ’80-ta ishte “takuar” me mua i pamaskuar në hetuesi, ndërsa në vitet e ’90-ta me ishte shfaqur i maskuar duke u prezantuar me do farë ‘içash’.

Dy herë ia kisha zbuluar maskat në hetuesi. “A po më njeh?”- më kishte thënë në gjuhën serbe. Unë i pata thënë – po! Ishte habitur shumë. Kush jam? – më kishte pyetur. Nuk e kisha të vështirë ta identifikoja nga zëri dhe gjatësia. “Ti je Demë Muja” – isha përgjigjur. Në rolin e një “artisti” ishte zgërdhirë duke thënë se ky është i moçëm dhe i rrezikshëm. Vështirë mashtrohet. Menjëherë ikte për të mos u shfaqur më.

Këtë rol të “misionarit” shqipfolës, mbase papritur edhe për të, e ndërpreu hyrja e rrufeshme e disa kriminelëve serbë. Tre rrinin në këmbë, ndërsa dy të tjerë me tërë ashpërsinë filluan të m’i heqin prangat. Njëri prej tyre që e luante rolin e “bosit” të sigurimit më drejtohet me fjalët: “Dëgjo mirë, ne tani po shkojmë në një vend. Atje duhet të thuash të vërtetën, përndryshe menjëherë do të të ekzekutojmë”.

Udha e panjohur me kolonën e vdekjes

Meqë fizikisht më kishin mposhtur, dy punëtorë të sigurimit serb më kapin për krahësh dhe me tërheqin zvarrë shkallëve të SUP-it në Pejë.
Në dalje të asaj godine pashë një mobilizim të dhjetëra punëtorëve të sigurimit dhe të një njësie speciale të përgatitur për gjendje lufte.

Kolona e automjeteve kishte bllokuar hapësirën përreth semaforëve dhe ndërtesave. Tanimë isha i bindur se diçka e llahtarshme është përgatitur. Sa çel e mshel sytë veten e kam parë në një nga veturat e asaj kolone që po priste për t’u nisur në aksion. Në ulësen e prapme të veturës dy “sigurimca” serbë me rroba civile më shtrijnë për të mos u vërejtur nga kalimtarët e mundshëm.

Punëtorët e sigurimit me revole mbi kokë më kërcënonin të mos lëvizja, përndryshe – me thoshin – do të të vrasim ende pa shkuar atje në vendin e ngjarjes. Të katër kriminelët serbë mbanin në dorë edhe nga një automatik të shkurtër të tipit “Shkorpion” në pozitë për të goditur. Kolona e veturave me alarm lëvizte me shpejtësi të madhe.

Frika ishte ajo që i kishte kapluar “shoqëruesit” në veturë. Mbase ishte krejt normale për të mos pasur guxim dhe moral për të luftuar në një vend të huajin. Në fytyrat e tyre lexoja ankthin që i kishte pushtuar, se mos nuk do të kthehen të gjallë. Mbajtja e shkorpionëve në pozicion për të gjuajtur, tregonte se ata po prisnin goditjen e befasishme të UÇK-së.

Ky ishte vendi që ua fuste tmerrin policëve dhe paramilitarëve serbë?

Radiolidhjet nuk pushonin me shifrat e kodet e tyre. I shtrirë në veturë me dy revole mbi kokë (herë njëri e herë tjetri), s’kisha mundësi të di saktësisht se deri ku kishte mbërritur kolona. Pas 10-15 minutave në radiolidhje, kam dëgjuar të flisnin në gjuhën serbe: “Kujdes nga kryqi i Prejlepit deri të kthesa që të çon në drejtim të Gjakovës!

Aty prisnin goditjen në pusi të “terroristëve”. “Shumë rrezik!” – flisnin në radiolidhje. Porsa e kemi kaluar zonën e rrezikshme, te “shoqëruesit” në veturë u vërejt një frymëmarrje paksa e lehtësuar. Kolona sikur “fluturonte” në drejtim të Gjakovës. Kur mora vesh nga komunikimi i tyre me radiolidhje se e kaluam Prejlepin, dyshimi se njësia speciale po kthente për në Gllogjan, në fshatin tim, për diçka të llahtarshme, sikur u largua. Por jo, them me vete, kolona sërish mund të kthehet te “Suka e Baballoqit” në drejtim të Gllogjanit.

Kështu më fliste një ndjenjë e çastit edhe pas kalimit të zonës së rrezikshme për kriminelët. Zuri të më kaplojë një ankth, trupi sikur harroi plagët që kullonin gjak nga rrahjet e kriminelëve. Kush e di se për çka po e përdorin tani kokën time!? – mendoja me vete. Kolona hetohej se po ecte me shpejtësi rrugës se asfaltuar. Ajo nuk kthen në të majtë rrugës me gurë kah “Suka e Baballoqit”.

Tani i shtrirë në veturë më dukej sikur e kisha më lehtë, ngase parandjenjat e mia për diçka të llahtarshme në familje dhe në fshatin tim, sikur u larguan.

Çfarëdo përballje tjetër tani isha i përgatitur ta përjetoja më lehtë. Kolona dhe njësia speciale ecte drejt vendit ku po më priste një skenar i montuar, para ekzekutimit! Kështu isha i bindur atëherë. Parandjenja për diçka të llahtarshme para ekzekutimit ma gërryente ndërgjegjen dhe shpirtin tim. Kah s’më shkonte mendja. Kriminelët sllavë i kishin të gjitha mundësitë për çfarëdo skenari që u duhej në atë kohë. Për mua, në opinionin publik nuk dihej asgjë, përveç momentit të arrestimit që kishte ndodhur më 24 mars 1998. Tek po përballesha me shqetësimet e çastit, kolona e veturave u ndal.

Dyert e veturës ku gjendesha u hapen me shpejtësi dhe rrufeshëm më nxorrën prej saj duke më mbajtur për krahësh. Tani isha në Gjakovë, në oborrin e ndërtesës së policisë serbe. Aty pashë edhe një mobilizim shtesë të policisë. Pashë, po ashtu, edhe popullatë civile shqiptare që po priste marrjen e dokumenteve.

Edhe lëvizja e veturave dhe e njerëzve, pak më andej oborrit të policisë, dukej normale. O Zot, thashë me vete, ç’është, ç’po ndodh? As krismat e pushkëve çlirimtare në Dukagjin nuk e kishin kthjellur “besimin” se liria do të vinte pa luftë që në atë kohë disa kishin arritur të mbillnin frikë se me Serbinë nuk luftohet.

Ende njerëzit atje po jetonin ‘normalisht’ sikur asgjë s`po ndodhte në terren. Imazhin e një “jete të qetë” atje në qytetin e Gjakovës e kishte prishur “paksa” një kolonë veturash me alarm dhe nxjerrja e një njeriut të rrahur mizorisht nga një veturë. Të gjithë shikonin me habi dhe shqetësim, ngase nuk e dinin se çka po ndodhte. Jam shumë i sigurt se atë ditë ka pas mjaft qytetarë që më kanë njohur dhe e kanë parë këtë skenar që luhej me mua, më 26 mars të vitit 1998.

Kush është ky “terrorist”? – i pyesnin policët që po më mbanin për krahësh, policët e tjerë. “Si nuk po e njihni? Ky është Rasim Selmanaj, armik i përbetuar i Serbisë”. Disa prej tyre shanin, të tjerët zgërdhiheshin duke thënë se ia kemi dëgjuar zërin.

Provokimet e kriminelëve serbë në oborrin e Stacionit policor në Gjakovë

Cinizmi i kriminelëve që po më mbanin për krahësh vazhdonte me provokime: “Po pra, ky është njeri i madh, prandaj e kemi për nder ta mbajmë për krahësh”. Në këtë gërshetim të provokimeve isha i pafuqishëm të flisja. Heshtjen e kisha zgjedhur për të sfiduar gjithçka, madje edhe aktin e ekzekutimit të cilin e parandjenja.

Nuk e kuptoja se pse po më mbanin aty në atë korridor. Sërish nga radiolidhjet e tyre arrita të dëgjoj se po e prisnin urdhrin e njësisë së policisë në Gjakovë për të shkuar atje. “Krenemo!” (nisemi!)

Policë dhe udbashë civilë që dalin nga disa prej dhomave të SUP-it më “shoqërojnë” shkallëve tëposhtë deri në oborrin e asaj godine ku po priste edhe një njësi speciale shtesë dhe një kolonë veturash. Kolona niset drejt vendit të panjohur për mua. Ndoshta edhe për policinë serbe, përveç eprorëve të tyre.

Për hiç më shumë se tre-katër minutash, vetura ku ndodhesha, sërish ndalet. Pashë se gjendesha në oborrin e spitalit të Gjakovës. Nga të katër anët kishte policë serbë, tani të shpërndarë gjithandej asaj hapësire. Tek po me ofronin te një shupë e mbuluar me pullaz prej llamarine, policët më kërcënonin duke më thënë: “Ky është fundi yt”.

Takimi me heronjtë, Gazmend dhe Agron Mehmetaj në morgun e spitalit

Një mantel bardhë, ku di unë, ndoshta ka mundur të jetë edhe shqiptar, nën urdhrin e policëve, i hap dyert prej llamarine… Para syve më shfaqen si në ëndërr dy trupa të pajetë të mbuluar me çarçafë të bardhë. Shputat dhe gishtërinjtë u kishin mbetur të pambuluara. Ky tani ishte momenti me i vështirë në jetën time. Nuk e dija se çka po ndodhte. Policët e urdhërojnë mantelbardhin që t’i zbulojë trupat e pajetë.

Policët sërish më kërcënojnë: “Nëse tani gënjen, menjëherë do të të vrasim!” Si bisha bërtisnin: “Fol shpejt, kush janë këta terroristë!?”

Tani i humbur në dhembje e ankth nuk u besoja syve të mi. E pabesueshme, por e vërtetë. Mbi dy tavolina shihja dy ushtarë të UÇK-së, dy miq të mi të vërtetë. Tytat e automatikut që më shponin në shpinë dhe britmat e kanibalëve serbë me këpusnin ëndrrën zgjuar. “Fol shpejt, kush janë këta terroristë, a i njeh!?”. Unë u përgjigjem se këta nuk janë terroristë. Njëri është nxënës, tjetri “Fol çka po të pyesim, kush janë dy të vrarit!?” – e ndërruan paksa gjuhën kanibalët.
Atyre, nga frika që kishin, u ngutej të largoheshin nga ai vend. Kujtesa mund të më ketë tradhtuar pas gjashtë viteve, por e mbaj mend se në krahun e majtë ishte Gazmend Mehmetaj, ai që kishte një plumb në ballë. Dy dëshmorë të lirisë, njërin e kishte marrë plumbi në ballë e tjetrin në gjoks. Fytyrat e tyre më shfaqen sikur të ishin të gjallë.
Ata sikur flinin zgjuar e të qetë në prehrin e diellit që po lindte. Britmat e kanibalëve ma këpusin shikimin tim të përmallshëm kah dielli që po agonte në atdheun e robëruar.

“Fol shpejt!?” shanin e fyenin policët. Marr fryme thellë dhe filloj të flas: “Ky në anën e majtë është Gazmend Mehmetaj”. “Emri i babës?”- me pyesin ata. “Hysen” Tytat e automatikëve tani nga të katër anët i kisha të futura nëpër pjesë të trupit tim. “Sa vjet i ka Gazmendi?”- me pyesin. “Nuk e di”- u them, por e di se ka qenë nxënës i vitit të katërt në Shkollën e Mesme”. “Po ky në anën tjetër kush është”? “Binak Nimon Mustafaj, është student i vitit të tretë në Prishtinë”. Rrufeshëm me kapin dhe më fusin në veturë për të vazhduar kolona në rrugëtimin e panjohur. Meqë nga vetura ku ndodhesha hetoja se ajo po ecte rrugës së asfaltuar, tani kisha krijuar përshtypjen se ndoshta sërish po më kthenin në Pejë për të vazhduar dramën jetë a vdekje.

Dëshmorët e Kombit, Gazmend dhe Agron Mehmetaj

Takimi me dy dëshmorët më kishte tronditur sa s’ka më. Një mendim i mbushur plot mall, për një çast më kthen të dera e shtëpisë sime. Aty, mbi një urë, një takim “i rastësishëm” me Gazmendin, i cili kishte zgjedhur herët rrugën e çmimit të lirisë. Atë ditë i pata thënë: “Kujdes natën në zonën përreth shkollës dhe stacionit të policisë në Irzniq!”. Ai ishte habitur. “A ke ndonjë argument?” Unë i them po. “Fol!”. “Dje në shkollë para se të binte terri, një arsimtar nga Ratishi kishte kërkuar leje për ta lëshuar orën e fundit, me arsyetimin se mbrëmë i kishin dalë policia nga pylli tek po udhëtonte për në Ratishë. Kujdes natën në këtë zonë, mund t’ju kapin apo t’ju vrasin në pusi!”- i pata thënë atë ditë Gazmendit. Ai e mori shumë seriozisht dhe më falënderoi për informatën.

Gllogjan, maj i vitit 1997

Unë kisha besim dhe guxim të flisja kështu më të atëherë, sidomos pas vrasjes së Luan Haradinajt, në majin e vitit 1997. Gazmendi më shokë atëherë tek unë shihnin një njeri që do t’i mbështeste në rrugën e tyre.
Tek po kujtoja Gazmendin me shokë pranë fotografisë së Luan Haradinajt dhe shkreptimat e armëve të tyre në “zonën e rrezikshme” afër shkollës, britmat e UDB-së ma këpusin kuvendimin me ato kujtime.

Rikthimi në dhomat hetuese të tmerrit

Sërish hapën dyert e veturës. Tani shoh se jam para shkallëve të SUP-it në Pejë. Sërish më kthejnë në dhomën ku më kishin marrë, por tani s’ishte shqiptari që kishte ardhur të më “shpëtonte”. Drama vazhdon me “kolegët” e tij në gjuhën e djallit.

Çuditërisht as sot s’mund ta di se si dëshmorin Agron Mehmetaj e kam identifikuar gabimisht. Për vrasjen e Agronit kam mësuar në burgun e Mitrovicës se Sremit nga një copë gazete të grisur, të datës 25 mars 2000 që kishte arritur të depërtojë më 5 prill të atij viti.

Ky ishte rrëfimi që nuk ia kam treguar askujt përveç mikut tim të burgut, Muhamet Avdiajt, bashkëluftëtarit të Gazmendit e të Agronit.

  • Shkruar pas lirimit nga burgu, dhjetor 2004
10 mars, 2001. Dita e lirimit tim nga burgu famëkeq i Beogradit
Në Gllogjan, pas lirimit nga burgu, te shtëpia ime gërmadhë