25 marsi i zi për kulturën shqiptare: Para një viti u shua Leze Qena, sot Luran Ahmeti

25 marsi duket të jetë një ditë e kobshme për kulturën shqiptare. Sot vdiq aktori i mirënjohur Luran Ahmeti. E pikërisht sot një vit u shua edhe aktorja e madhe Leze Qena.

Ikona e aktrimit kosovare Leze Qena, mëngjesin e së mërkurës të 25 marsit 2020, dha lamtumirën e fundit. Në moshën 85-vjeçare ajo u përshëndet përfundimisht me skenën, publikun e të gjithë ata që e rrethonin, por arti i saj do të mbetet përherë i freskët e i dashur për publikun.

Leze Qena, lindur si Elizabeta Spaqi në Prizren, më 2 mars 1935, ishte aktorja më e dashur për publikun shqiptar. Me thjeshtësinë e mjeshtërinë e saj prej aktoreje, ajo diti të bëjë për vete të gjithë.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, për të vazhduar më pas studimet për aktrim në Prishtinë.

Duke filluar nga viti 1954, si aktore në Teatrin Popullor Krahinor (TPK), ajo u shqua me shkathtësitë e saj interpretuese në shfaqjet e zhanrit komedi. Kreacionet më të suksesshme i dha në shfaqjet “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”, “Pjata e drunjtë”, “Kur është gruaja memece”, “Hanka”, “Miu në xhep”, e të tjera. Ka interpretuar edhe role jo të pakta dramatike, ku shquhet për rolin e Ana Frankut te “Ditari i Ana Frankut”.

Në role kryesore ka interpretuar edhe në shfaqjet gjatë viteve ’60 si: “Fjala është për banesë”, “Kvej Llan” (në gjuhën serbe), “Kushëriri prej Amerike”, “E shoqja e Hasan Agës”, “Familja e pikëlluar”, “Autobiografia”, “Nuk martohem me pare”, “Tartufi”, “Duart e papastra”, “Othello”, “Antigona”. Në dekadën pasuese, Qena ka interpretuar edhe në inskenime të tjera si “Perkolgjinajt”, “Të ngujuarit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hotel Kashta”, “Zëri i ndërgjegjes njerëzore”, e të tjera.

Pos përvojës së gjatë në skenën teatrore në vend, aktorja Qena do të bënte emër edhe në miniseri televizive e komedi. “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982), dhe “Shkolla e fshatit” (1987) ishin disa prej performancave të njohura të Qenës me të cilat bëri për vete simpatinë e publikut.

Ishte e martuar me aktorin Xhevat Qena me të cilin u njoftua gjatë interpretimit në skenën e Teatrit Kombëtar, në shfaqjen “Macja mbi çatinë e nxehte”. Së bashku çifti u bë i njohur për një audiencë të gjerë të teatrove.

Kurse, Luran Ahmeti, aktori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID-19. Aktori 46 vjeçar, pos rolit të profesorit të historisë në serialin “O sa mirë”, që e bëri të njohur tek publiku shqiptar, ka lënë një bagazh të pasur në aktrim.

Ahmeti kryesisht ka luajtur në filma dhe seriale të realizuara në Turqi, por ishte pjesë edhe e filmit të famshëm të Hollywood-it “Taken 2” ku ishte kundërshtar i aktorit të njohur, Liam Neeson.

Në mesin e serialeve të njohura turke ku ai mori pjesë ishte edhe Kurtlar Vadisi Pusu (Lugina e Ujqërve: Kurthi), një nga prodhimet kinematografike më të famshme turke.

Ahmeti në serialin e njohur turk “Shekulli i Madhërishëm”, që ndryshe njihet si Sylejmani i Madhërishëm, i cili shfaq edhe në televizionet në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut, ka luajtur rolin e Divane Hysrev Pashait, për të cilin rol mori kritika të mira nga njohësit e kinematografisë në Turqi.

E në serialin “Kaukazi, dëbimi i madh”, Ahmeti luajti rolin e një komandanti të ashpër rus.

Në një intervistë për gazeten Yeni Safak, Ahmeti deklaronte se është zor të luash një karakter që e urren.

“U përpoqa që në mënyrën time të shpjegoj rusët, të cilët na bënë të vuajmë shumë gjatë të kaluarës. Për një aktor është e vështirë të portretizohet një karakter që e urren”, thoshte Ahmeti, që sot humbi betejen me COVID-19.

Për publikun në Kosovë mbahet mend për rolin e tij në komedinë “O sa mirë” ku portretizonte një profesor të historisë.

Por, Ahmeti ishte pjesë e Teatrit Shqiptar të Shkupit, ku ka luajtur në shfaqje të shumta teatrale.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur gazetari Rilind Gërvalla.

E për ikjen e hershme të aktorit, ngushëllime kanë shprehur figura të ndryshme të politikës në Kosovë e Shqipëri.

“Mutlu Ol Yeter”, “Son Yaz-Balkanlar 1912”, “Elveda Rumeli”, “Balkan Dugunu”, “Bahar Dalları”, “Tek Başımıza”, “Reis”, “Karakol – Herkes Adalet İster”, “Limonata” etj., janë disa prej realizimeve të tjera të kinematografisë turke, në të cilat ka luajtur Luran Ahmeti.