22 gushti po shihet datë e vonë për vetëshpërndarjen e Kuvendit

Fiks 16 ditë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, duke e lënë vendin pa Qeveri funksionale, në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, u caktua 22 gushti si datë për vetëshpërndarje.

Një datë e tillë nuk mori pëlqimin e të gjitha subjekteve politike, pasi u pa si datë e largët e që vendit i duhen zgjedhjet sa më shpejt. E nevojën për një shpërndarje sa më të shpejt, po e shohin edhe nga shoqëria civile.

Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, ka thënë për Koha.net, se shpërbërja e Kuvendit është dashur të ndodhte sa më parë. Kjo sepse, sipas tij, askush nuk ka të drejtë që të vendosë për çështje që prekin sovranitetin nacional dhe integritetin territorial të vendit, përpos sovranit – popullit të Kosovës.

Ai thotë që në gjendjen ku ndodhet sot Kosova duhet rilegjitimim urgjent i forcave politike.

“Zgjidhja për gjendjen ku sot ndodhet Kosova, është që të bëhet një ri-legjitimim urgjent i forcave politike për shkak se për dy vite radhazi ka pasur diskutime shterpë për copëtim të Kosovës, jo për bërjen e saj shtet normal”, thotë ai.

Ndërkaq analisti Vigan Qorrolli, thotë se caktimi 22 gushtit për shpërndarje të Kuvendit është bërë me konsensus të partive politike, përjashtuar Vetëvendosjes e cila ka insistuar që këto zgjedhje të mbahen më herët. Ai thotë se sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, është Kryesia e Kuvendit ajo që përcakton agjendën e saj.

Sipas tij, LDK-ja, PDK-ja dhe të gjitha partitë që kanë qenë në tryezë janë pajtuar me këtë gjë dhe ky është një vendim i tyre. Qorrolli për Koha.net ka thënë se shpërndarja e Kuvendit duhet të ndodhë në një situatë kur zgjedhjet të mbahen sa më shpejt që është e mundur, sepse sipas tij, edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve konstituimi i institucioneve merr kohë.

“Konstituimi i institucioneve e merr kohën e vet kushtetuese por edhe kohën e vet politike dhe të koalicioneve dhe kalkulimeve politike. Në këtë fazë është e rëndësishme që tashmë ai vendim është i prerë dhe duhet me u respektu. 22 gushti do të marrë rrjedhë momentin kur deputetet e Kuvendit të votojnë për shpërndarjen e tij, atëherë fillon me rrjedh afati kushtetues që presidenti i ka në dispozicionin e tij, e që janë minimumi 30 ditë dhe maksimumi 45 ditë”, thotë ai.

Tutje Qorrolli ka hedhur poshtë mundësinë që brenda këtyre ditëve të krijohet një momentum politik për krijimin e një qeverie teknike ose për emërimin e një mandatari të ri.

“Koalicioni qeverisës e ka mohuar këtë gjë dhe prandaj nuk ka asnjë mundësi ligjore dhe kushtetuese që të emërohet një qeveri teknike përderisa është thirr seanca për 22 gusht”, thotë ai.

22 gushti nuk qe shumë tërheqës as për disa deputetë të Kuvendit, madje një datë e tillë u pa si mundësi për keqpërdorim dhe pazare politike mes partive në vend.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje caktimin e datës për shpërndarje të Kuvendit e ka quajtur shumë të largët.

Ajo tha se vendi ka nevojë për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe se deri tek kjo datë ekziston mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje.

Haxhiu tutje ka potencuar se propozim Vetëvendosjes ishte që seanca për shpërndarje të Kuvendit të mbahet me 8 ose 14 gusht.

Ndërkaq deputeti Ilir Deda, 22 gushtin e ka quajtur “hajgare”.

Ai ka thënë se kjo datë për shpërndarjen e Kuvendit nuk po përputhet me deklaratat publike të partive që të shkohet sa më parë në zgjedhje.

Se nuk ka gatishmëri për zgjedhje nga partitë e kishte thënë edhe analisti Ramush Tahiri, në një prononcim për Koha.net. Sipas Tahirit, deklaratat e partive se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, nuk janë aspak serioze dhe po bëhen vetëm për lojë politike.

Ai kishte thënë se të gjitha partitë po frikësohen nga ky proces dhe se po ju konvenon shtyrja e tyre.

loading…