Viti i suksesit

2018-ta, viti i mrekullueshëm i Kombëtares së Kosovës

Kombëtarja e Kosovës e ka përmbyllur vitin 2018 në mënyrë perfekte, derisa në 9 ndeshje të zhvilluara gjatë këtyre 12 muajve nuk ka pësuar asnjë humbje. Djelmoshat e trajnerit Bernard Challandes arritën sukses të madh në kompeticionin më të ri të UEFA-së, Ligën e Kombeve, aty ku “Dardanët” përfunduan në vendin e parë duke siguruar kualifikimin për në fazën e ardhshme, në të cilën synohet pjesëmarrja në Kampionatin Evropian për herë të parë në histori.

Pas përfundimit të kampanjës kualifikuese për Kupën e Botës 2018, Kosova vendosi të ndajë rrugët me përzgjedhësin Albert Bunjakin, i cili kishte arritur vetëm një pikë në grupin që përbëhej nga kombëtare të forta si; Kroacia, Ukraina, Turqia dhe Islanda, ndërsa barazimi i vetëm ishte shënuar ndaj Finlandës në takimin e parë zyrtar të Kosovës, në shtator të vitit 2016.

Me 24 janar, Kosova njohi kundërshtarët e saj në Ligën e Kombeve, me rivalë që ishin të kalueshëm si Ishujt Faroe dhe Malta, ndërsa nga të gjithë parashikohej se kualifikimi do të luhej kundër Azerbajxhanit.

Vendimi i fundit që kishte marrë presidenti i ndjerë i Federatës së Futbollit të Kosovës, legjenda Fadil Vokrri, ishte të emëronte në detyrën e përzgjedhësit, zvicerianin Bernard Challandes. Më 2 mars, Challandes u zyrtarizua në stolin e Kosovës, gjersa opinioni në përgjithësi ishte skeptikë për aftësitë e tij për të drejtuar kombëtaren më të re evropiane, për shkak të CV-së jo shumë të pasur të tij, me kombëtaren e Armenisë që ishte arritja më e madhe e 67 vjeçarit. Por, në vazhdimësi rezultoi se ky vendim i Vokrrit ishte shërbimi i fundit për futbollin e Kosovës, në mesin e shumë të tjerave.

Challandes që në nisjen e tij te Kosova shkruajti historinë duke u bërë përzgjedhësi i parë i huaj. Debutimi i Bernard Challandes ndodhi me 24 mars në takimin miqësor kundër Madagaskarit që u zhvillua në Zvicër dhe përfundoi me fitoren 1-0 të Kosovës. Tre ditë më vonë Kosova arriti një tjetër fitore ndaj një tjetër kombëtareje afrikane, derisa mposhti 2-0 Burkina Fason.

Impakti i trajnerit vërehej menjëherë te Kosova, që ishte stabilizuar në fazën defansive duke mos pësuar gol në dy ndeshje rradhazi, zhvillim ky që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Testi i ardhshëm i Kosovës ishte në përballjen “Vëllazërore” ndaj Shqipërisë që u luajt në maj. Njëherish kjo ishte ndeshja ku të gjithë e kuptuan potencialin e Kosovës, që ishte superiore në çdo aspekt kundër Shqipërisë, ndërsa rezultati përfundimtar i takimit 3-0, ishte treguesi më i mirë për super paraqitjen që zhvilloi skuadra e Challandes. Miqësorja me Shqipërinë ishte takimi i fundit për presidentin e FFK-së, Fadil Vokrrin, me legjendën e Kosovës që u nda nga jeta më 9 qershor në moshën 57 vjeçare.

Trishtimi ishte i madh për humbjen e liderit të futbollit kosovar, i cili kishte arritur të anëtarësojë Kosovën në organizatat më të rëndësishme të futbollit, FIFA dhe UEFA. Pas rreth një muaji nga vdekja e Vokrrit, stadiumi i rinovuar në Prishtinë u quajt “Fadil Vokrri” në nderim të veprës së ish lojtarit të Prishtinës, Partizanit të Beogradit dhe Fenerbahçes. Pasues i Vokrrit në drejtimin e Federatës së Futbollit u zgjodh Agim Ademi që fitoi shumicën e votive në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, që u mbajt në korrik.

Kosova iu rikthye fushës në shtator në sfidën e parë në Ligën e Kombeve në udhëtim te Azerbajxhani që u përmbyll në barazim pa gola. Ishte një rezultat pozitiv ky për Kosovën, e cila tre ditë më vonë do të ishte nikoqir i Ishujve Faroe në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Dardanët” triumfuan pastër 2-0 ndaj ishullorëve, duke e përfunduar në këtë mënyrë muajin shtator në vendin e parë të grupit 3 të Ligës D.

Ballafaqimi i parë i tetorit rezervonte një tjetër ndeshje në Prishtinë, ndërsa kundërshtari i rradhës ishte Malta. Kosova pavarësisht se për disa momente vuajti, në fund arriti të dalë nga fusha me 3 pikë duke i mposhtur maltezët 3-1. Në ndeshjen e katërt të grupit, Kosova nuk arriti të fitojë, teksa u ndal në barazim 1-1 në udhëtim te Ishujt Faroe, por lajmi i mire vinte nga përballja tjetër e grupit, ku Azerbajxhani nuk kishte mundur të marrë maksimumin kundër Maltës në shtëpi.

Muaji vendimtar ishte nëntori, gjatë të cilës periudhë të besuarit e Challandes ishin të papërmbajtshëm duke shënuar 9 gola brenda 3 ditëve. Gjithçka filloi me fitoren spektakolare 0-5 në udhëtim ndaj Maltës, por në anën tjetër edhe Azerbajxhani kishte arritur të fitojë me Ishujt Faroe, duke e shndërruar në vendimtare sfidën e fundit direkte që do të zhvillohej në “Fadil Vokrri”, gjersa Kosova kishte dy pikë avantazh ndaj kombëtares azere.

Kosova nuk e vuri për asnjë çast në dyshim fitoren kundër Azerbajxhanit në Prishtinë, me tabelën që në fund të ndeshjes shënonte shifrat 4-0. Ishte mbrëmja e Arbër Zenelit, me sulmuesin e Heerenveenit që realizoi 3 gola, ndërsa në fund të vitit 23 vjeçari u shpall lojtari më i mirë i vitit nga FFK-ja.

“Dardanët” e mbyllën grupin me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa Kosova është shortuar me Maqedoninë në fazën e ardhshme të Ligës së Kombeve, me objektivin e kualifikimit historik drejt Kampionatit Evropian të vitit 2020, derisa ndeshja ndaj shtetit fqinj do të luhet në mars të vitit 2020.

Në muajin dhjetor, Kosova mësoi edhe kundërshtarët e kualifikimeve të fazës së rregullt për në Kampionatit Evropian, ndërsa grupi përbëhet nga Anglia, Çekia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Kosova debuton në këto kualifikuese me ndeshjen ndaj Bullgarisë më 25 mars në Prishtinë. /Ballkani.info/