Kreu i Prishtinës

“20 hektarë do të këmbehen me 8 hektarë”, Rama e mohon: Ministria e Financave ka me përcaktu sa tokë kemi me dhanë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se nuk qëndrojnë raportimet se do të ndërrohen rreth 20 hektarë tokë komunale në zonën “Prishtina e Re” me rreth 8 hektarë tokë të dy biznesmenëve në Badoc.

Se sa tokë do të këmbehet, Rama ka thënë se do ta përcaktojë Ministria e Financave, raporton Express.

“Ne si kryeqytet jemi duke zbatuar një process të rregullt i miratuar nga Asambleja Komunale, i vlerësuar nga MAPL dhe është ende proces i papërfunduar, pra është në zhvillim e sipër. Kemi ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural në bazë të vlerësimeve të bëra nga ministritë përkatëse, pasi që pala ka pasur vendime të miratuara nga ministritë për këmbim të pronës, e që e oligon kryeqytetin me vepru… Ministria e Financave ka me përcaktu sa tokë kemi me dhanë, pra Ministria e Financave është i vetmi autoritet që e bën vlerësimin e pronav e jo ne”, tha Rama para gazetarëve.

Sipas Ramës, procesi për këmbimin e kësaj prone nuk ka nisur nga ai.

“E kam thirr këtë konferencë për shkak se ditëve të fundit kemi qenë cak i sulmeve të shumta që kanë për qëllim denigrimin e qeverisjes se kryeqytetit, por edhe timin personal. Duke ju referu një procesi të këmbimit, proces i cili ka fillu qysh para qeverisjes tonë, pra dy vite para qeverisjes tonë. Pra ky këmbim nuk ka filluar gjatë kohës tonë, por më shumë se dy vite më parë. Edhe kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit”, tha Rama.