14 shkurti i dashurisë së 51% për Vetëvendosjen | Dy vite pushtet, Kurti nuk u siguroi as banesa çifteve

Ndër zotimet kryesore me të cilat Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, erdhi në pushtet, ishin vettingu për prokurorët dhe gjyqtarët, padia kundër Serbisë dhe banesat falas për çifte. Në 14 shkurtin mitologjik shënohet dyvjetori i fitores së asaj që VV preferon ta quajë “plebishitare”, teksa asnjë nga premtimet e lartcekura nuk janë përmbushur.

Padia kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duket çështje e harruar në periudhën kur themelimi i “Zajednicës” është temë e nxehtë, që është pranuar nga kryeministri Kurti. Padia kundër Serbisë për krime lufte, Kurtit i figuron në programin e tij qeverisës 2021-2025.

Osmani dhe Kurti ishin të zëshëm për një padi të tillë, mirëpo që nga maji i vitit të kaluar asnjëherë më nuk është përmendur një çështje e tillë në deklarimet e tyre politike, shkruan Demokracia.com.

Qeveria Kurti është zotuar edhe për ngritje të pagës minimale 250 euro, mirëpo kjo e fundit nuk është punë të kalojë në lexim të dytë tash e më shumë se gjysmë viti.

Premtime të mëdha kjo Qeveri në programin e saj ka bërë edhe për sektorin privat. Të njëjtit para ardhjes në qeverisje janë zotuar për themelimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës, për “promovim investimesh dhe mbështetje të sektorit privat”. Mirëpo, një bankë e tillë nuk u themelua asnjëherë.

Në anën tjetër, çështja e vettingut ka ngelur në nivel të deklarimeve politike. Kjo, pas opinionit të marrë nga Komisioni i Venecias, ku pati vërejtje të theksuara për mënyrën e realizimit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deri më tani, hapi i vetëm që është marrë është themelimi i Komisionit të Vettingut.

Qeveria Kurti zotohej edhe për mospërfshirje të dorës së politikës në programin qeverisës. Mirëpo, Kurti para dy muajsh kërkonte të bëhej kryeprokuror dhe t’i zgjidhte çështjet e drejtësisë vetë.

Të njëjtit zotoheshin edhe për përmirësim të cilësisë së ajrit nëpërmjet Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, ligj ky që nuk po gjen zbatim në periudhën e dimrit. Cilësia e ajrit në kryeqytet vazhdon të tejkalojë normat e ndotjes.

Një nga premtimet e preferuara për “rehatimin” e çifteve, që s’linte vend pa e përmendur Kurti, ishte zgjidhja e çështjes së banimit.

“Për të moshuarit, që presin ndihmën tonë do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbime të përkujdesjes për ta. Ndër të tjera, do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Këtë synojmë ta arrijmë nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120, respektivisht 150 eurove, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve”, thuhet në premtimin qeverisës të Vetëvendosjes.

Në raportet e fundit ndërkombëtare, Kosova nën qeverisjen Kurti është kritikuar për mënyrën e organizimit të skemave sociale, për mospasje nën kontroll të korrupsionit.

Si shkak i “rezistencës” së Kurtit, së fundmi është raportuar se Kosova mund të largohet nga rendi i ditës për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sipas këtij raportimi, kjo është kërkesë ekskluzive e SHBA-së. Ky raportim erdhi një ditë pasi Kurti me këmbëngulje kundërshtonte themelimin e “Zajednicës”, të cilën e pranoi publikisht pak ditë më vonë në Kuvendin e Kosovës, pasi që kundërshtimi nuk i zgjati shumë.