13 vite burg për drogë, Gjykata e Tiranës lejon ekstradimin e 42-vjeçarit në Itali

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e drejtësisë italiane për ekstradimin e një 42-vjeçari të dënuar me burg në vendin fqinj.

Në vendimin e saj, gjykata lejoi ekstradimin e Lulzim Halilit, i arrestuar në qershor të këtij viti në Tiranë, në operacionin e koduar “Aosta”.

Halili u prangos pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar për shkak të një dënimi me 13 vjet e 4 muaj burg dhënë në mungesë nga Gjykata e Aostas në Itali.

Ai ishte fajësuar për akuzën e “pjesëmarrjes në grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Gjatë procesit gjyqësor, 42-vjeçari ka dhënë pëlqimin e tij për ekstradimin drejt Italisë, me qëllim sqarimin e çështjes në ngarkim të tij. /A2 CNN/