13 kabinete të ministrive kosovare për një vit u dhanë meditje zyrtarëve të vetë plot 127 mijë euro (lista)

Mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë shtetit përbëjnë një shumë të majme të shpenzimit të parasë publike. Edhe pse nuk ka limite deri në sa para mund të merren mëditje nga zyrtarët publik, ngase kjo varet nga numri i udhëtimeve dhe ditëve të kaluara në një vend të caktuar, është e rëndësishmë të analizohet se sa konkretisht harxhohet buxheti për mëditje dhe kush janë harxhuesit më të mëdhenj.

Nga viti 2004 deri në korrik 2018, shuma e mëditjeve për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit është llogaritur sipas rregullores së UNMIK-ut. Ndërsa në qeshor të vitit 2018, Ministria e Financave (MF) ka aprovuar vendimin për ndryshim të tarifave të mëditjeve krahas standardit të jetesës në shtetin në të cilin udhëtohet. Përveç kostos së jetesës, të dy rregulloret, e mëhershmja dhe aktualja e MF-së, kompensimet për mëditje i bëjnë edhe varësisht nga mbulesat që i bëhen zyrtarëve nga pala pritëse. Nëse pala pritëse ka mbuluar të gjitha shpenzimet e nevojshme duke siguruar edhe shpenzime të tjera të vogla, zyrtarët nuk përfitojnë para të gatshme nga buxheti i shtetit. Ndërsa, kur shpenzimet për akomodim, ushqim dhe shpenzimet tjera të vogla mbulohen tërësisht nga pala pritëse dhe pa u paguar asgjë në dorë atëherë zyrtarët përfitojnë nga buxheti i shtetit 20% të shpenzimeve ditore. Kur zyrtarëve u janë mbuluar pjesërisht shpenzimet e ushqimit nga pala pritëse llogaritja ndryshon si në vijim:

– Nëse pala pritëse mbulon vetëm ushqimin e mëngjesit, atëherë pjesa tjetër e ushqimit (dreka dhe darka) apo 85% e shpenzimit mbulohet nga buxheti i shtetit.

– Nëse pala pritëse mbulon ushqimin e mëngjesit dhe drekës, buxhetit të shtetit i mbetet të mbulojë vetëm darkën apo 55% të shpenzimit të ushqimit.

– Nëse pala pritëse mbulon ushqimin e mëngjesit dhe darkës, ushqimi i drekës apo 40% e shpenzimit të ushqimit mbulohet nga buxheti i shtetit.

– Nëse pala pritëse mbulon tërësisht ushqimin, organizata buxhetore mbulon 20% të shpenzimeve ditore.

Shpenzimet e akomodimit duhet të arsyetohen me fatura përkatëse dhe në rastet kur këto shpenzime janë më të ulëta se tarifa e përcaktuar për akomodim, diferenca e mjeteve duhet të kthehet. Gjithsesi, për mbyllje të avansit, zyrtarët duhet të sjellin faturat.

Instituti GAP, duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka kërkuar të dhënat e kostos së mëditjeve për person për vitin 2018 nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe të gjitha ministritë. Kërkesës sonë për mëditje i janë përgjigjur gjithsej 13 ministri. Ndërsa Zyra e Kryeministrit dhe tetë ministri tjera, siç janë: Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Integrimit Evropian nuk kanë ofruar qasje në të dhëna, duke rënë kështu në kundërshtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Nga ministritë që na janë përgjigjur, në formë të të dhënave vjetore të individualizuara përgjigje kanë ofruar tetë ministri, ndërsa pesë ministri tjera kanë ofruar përgjigje në formë të të dhënave vjetore të agreguara për ministri, që janë: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Bazuar në Raportin Vjetor Financiar 2018 të Ministrisë së Financave, shpenzimet për mëditje të Qeverisë së Kosovës për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë vendit ishin rreth 4.5 milion euro apo për 45% më të larta krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, krahasuar me vitin paraprak mëditjet e udhëtimeve zyrtare brenda vendit janë rritur për 8% apo katër mijë euro, ndërsa mëditjet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit janë rritur për 46% apo 1 milion e 399 mijë euro.

Figura 1: Mëditjet e udhëtimit zyrtar brenda dhe jashtë vendit

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat nga Raporti vjetor 2018 i Minstrisë së Financave.

Shuma e shpenzuar për mëditje brenda dhe jashtë vendit nga 13 ministri është rreth 127 mijë euro, saktësisht 126618 euro, shkruan Ballkani.info. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është e para që listohet me mbi 25 mijë euro shpenzime për mëditje, ndërsa, pas saj radhitet Ministria e Zhvillimit Ekonomik me 4 mijë euro më pak, e kështu me radhë.

Figura 2: Shpenzimet e kabineteve të ministrive për mëditje 2018

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

Sipas të dhënave të pranuara, del se Albena Reshitaj, si Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte marrë rreth shtatë mijë euro mëditje, edhe pse kishte dhënë dorëheqje nga ky post qysh në gusht 2018. Ndërsa Nenad Rikalo, si Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural radhitet i dyti me 2,284 euro më pak shpenzime.