Brovina: Jam konsultuar me familjarët për publikimin e fotografisë së gruas së dhunuar nga serbët

Deputetja Flora Brovina ka thënë se për publikimin e fotografisë së gruas së dhunuar është konsultuar me familjarët e saj.

“Kam profesionin e etikës mjekësore që nuk më lejon të keqpërdori. Nuk jam humaniste në rang vendi por jam më shumë. E ruaj së pari nivelin tim të etikës dhe profesionit. Unë e di se deri ku mund të shkoj. Tek fotografia e gruas ju nuk do ta indentifikoni as familjarët as gruan por vetëm kriminelët sepse kam fshehur fytyrën e gruas dhe familjarëve. Unë nuk kam treguar as ku jeton gruaja. Familjarët e kësaj gruaje nuk mund të reagojnë sepse i kam konsultuar, i kam njoftuar, ata i kam kontaktuar dhe kanë thënë që është në rregull”, ka thënë ajo në Info Magazine.

Brovina ka theksuar se edhe tek fotografia e vajzës e ka fshehur identitetin e saj.

“Sa i përket fëmiut unë ia kam fshehur mbiemrin dhe vendin ku ka ndodhur”, ka theksuar ajo.

Sipas saj reagimi i shoqatave është për interesa të ndryshme.

“Është i dhimbshëm i gjithë reagimi i shoqatave të ndryshme. Kanë interesa të ndryshme që nuk lidhen me mua”, ka theksuar ajo.