1.5 milionë euro dëme nga era në Istog, kryetari i LDK-së pret ndihmën e Albin Kurtit

Javën e kaluar, komuna e Istogut është përballur me erëra të forta të cilat shkaktuan dëme shumë të mëdha si në bujqësi, infrastrukturë rrugore, ndërtesa publike komunale, objekte shëndetësore si dhe në objekte private.

Kryetari i komunës, Haki Rugova, ka krijuar disa komisione për vlerësimin e këtyre dëmeve të shkaktuara, me ç’rast është bërë e ditur se këto dëme shkojnë deri në 1 milion e 500 mijë euro.

Në njoftimin zyrtar që ka bërë Komuna e Istogut në faqen e tyre zyrtare në Facebook, thuhet se dëmet më të mëdha janë në sektorin e bujqësisë, sidomos në sera dhe stalla që kapin vlerën prej 622 mijë euro, dëmet në objektet e arsimit janë rreth 162 mijë euro përfshirë shkollat fillore dhe të mesme të kësaj komune.

Ndërkohë në ndërtesa publike komunale janë 115,000 euro dëme ,në infrastrukturë rrugore dëmet janë 40,000 euro si në shenja të emërtimit të rrugëve, shenja të komunikacionit, sistemi i kamerave dhe ndriçimit publik. Në objektet shëndetësore dëmet janë 14,000 euro ku përfshihen QKMF-Istog, QMF-Banjë, QMF-Vrellë, AMF-Kaliqan.

Ndërsa deri më tani në komunë janë lajmëruar mbi 800 persona për dëme në objekteve private, ku konsiderohen mbi gjysmë milioni euro dëme të shkaktuara

Komuna ka njoftuar po ashtu se buxheti i tyre është i ulët dhe mundësitë buxhetore për kompensimin e këtyre dëmeve janë minimale, prandaj kërkon mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për kompensimin e dëmeve.