1.5 milion euro për Specialen s’janë të mjaftueshme as për një rast serioz, avokatët vendorë të diskriminuar

Qeveria e Kosovës në buxhetin e vitit 2017, ndau 1.5 milion euro për t’i ofruar ndihmë juridike dhe financiare personave që mund të akuzohen nga Specialja për krime lufte.

Kjo shumë është ndarë në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale. Sipas këtij ligji, të gjithë personat që mund të akuzohen kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur.

Mirëpo, kjo shumë duket se nuk është e mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të akuzuarve dhe të mbrojtjes.

Avokati Tomë Gashi, duke folur për lajmi.net, ka bërë të ditur se deri më tani janë shpenzuar gjysmë milion euro, dhe shuma e ndarë nuk është e mjaftueshme as për mbrojtjen e një rasti serioz.

“Sipas asaj që është publikuar para disa javëve, shteti i Kosovës respektivisht Qeveria ka shpenzuar mbi gjysmë milion euro vetëm deri më tani për t’i paguar një pjesë të shpenzimeve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që janë ftuar nga Gjykata Speciale. Dihet se Qeveria kandarë 1.5 milion euro për çështje që ndërlidhen me Gjykatën Speciale dhe këto nuk janë as përafërt të mjaftueshme as për mbrojtjen e një rasti serioz”, ka thënë Gashi.

Avokati Gashi i cili në Speciale e mbron ish-komandantin, Sylejman Selimi ka theksuar se ka diskriminim të pastër në pagesat ndaj avokatëve vendorë dhe atyre të huaj.

“Sa i përket pagesave të avokatëve ka diskriminim të pastër në mes të avokatëve vendorë të Kosovës dhe të huajve. Kështu që avokatët vendorë sa unë e dijë, janë paguar në shumë simbolike. Ajo që dihet është se avokatët e preferuar të burrështetasve të Kosovës siç është Jefry Nice, është paguar rreth 2 mijë e 500 euro për një ditë pune, pa i llogaritur shpenzimet shtesë, të udhëtimit dhe të tjera”.

Sipas tij, kjo ka shkaktuar pakënaqësi te një numër avokatësh vendorë.

“Për këto arsye ka pakënaqësi te një pjesë. Te avokatët shqiptarë të Kosovës që diskriminohemi nga qeveria jonë e cila nga taksat tona i paguan shumë herë e më shumë të huajt. Kjo është një herë e vërteton që ne i respektojmë të huajt më shumë se veten. E unë nuk e di pse. Kur shumica e avokatëve tanë janë shumë më të mirë në mbrojtjen e rasteve të mbrojtjes së pjesëtarëve të UÇK-së për krime të supozuara të luftës sepse ne jemi përballë me këso lëndë që 20 vjet”, ka theksuar Gashi.

Ai ka shtuar se avokatët e huaj pos atyre që kanë qenë të angazhuar në Tribunalin e Hagës, mendojnë se rastet e krimeve të luftës në Evropë kanë përfunduar me mbarimin e luftës së dytë botërore, e sipas tyre eventualisht ka ndonjë rast në Afrikë.

Së fundi, nga Gjykata Speciale është ftuar Ramush Haradinaj i AAK-së, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit si dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Theksojmë se Qeveria pati deklaruar se do të gjejë mjete për këtë kategori, në rast se kërkohet që vlera të jetë më e madhe.


Gregor Gay Smith dhe Tomë Gashi, avokatë mbrojtës të Sylejman Selimit në Gjykatën Speciale

loading…