​Zgjedhjet në Mitrovicën Veriore pa probleme, po hetohet një rast i fotografimit të fletëvotimeve

Procesi zgjedhor në Mitrovicën e Veriut ka nisur me kohë dhe gjithçka ka kaluar pa probleme, me përjashtim të një rasti të dyshuar për fotografim të fletëvotimit, rast të cilin ka nisur ta hetojë Policia e Kosovës.

Menaxheri i qendrës më të madhe të votimit në veri të Mitrovicës, Milorad Jovanoviq ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe se ato kanë kaluar pa probleme të theksuara.

“Procesi zgjedhor në Mitrovicën e Veriut ka nisur me kohë në ora 7:00 të mëngjesit. 12 vendvotimet që kemi, janë hapur në ora 7:00. Gjithçka ka kaluar pa probleme, duke nisur prej masave për mbrojtje ndaj COVID-19, mbajtjen e distancës sociale, në mënyrë që votuesit të kryejnë detyrën e tyre dhe të kthehen të qetë në shtëpi”, tha ai.

I pyetur se nëse ka pasur parregullsi në procesin zgjedhor, Jovanoviq tha se ndalimi i një personi gjatë ditës së sotme ka ndodhur për shkak të fotografimit të fletëvotimeve dhe publikimit të tyre në rrjetet sociale, për çka kanë nisur edhe hetimet.

“Ajo që unë jam në njohuri se ekziston problemi i caktuar dhe i cili është dërguar te prokurori në gjykatën në veri të Mitrovicës. Hetimin e rastit e ka marrë policia dhe priten rezultatet e hetimit të mëtejmë. Më konkretisht, ka indikator se personi në fjalë ka fotografuar fletëvotimet dhe ka postuar në Instagram, por kjo ende nuk është verifikuar derisa ta konfirmojë prokurori”, tha ai.