​Zëvendësohen deputetët që janë bërë ministra (emrat)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar njëmbëdhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës. Pesë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidha Demokratike e Kosovës, kurse një nga partia e komuniteteve jo shumicë. Në mbledhjen e parë të KQZ-së, pas emërimit të anëtarëve të rinj u kërkua që të ndryshohet neni 112 i pikës dy të Ligjit për Zgjedhje, në mënyrë që zëvendësimi i deputetëve mos të bëhen sipas gjinisë së njëjtë, por kush është në radhë me vota.

Për këtë arsye, dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan rekomandimin për Presidentin lidhur me kandidatët e radhës që zëvendësojnë deputetët që janë bërë ministra.

Në mbledhjen e parë si anëtar i KQZ-së, Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh kritik ndaj këtij neni të Ligjit për Zgjedhje, pasi sipas tij, është në kundërshtim me frymën Kushtetuese.

Por në lidhje me këtë kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka tha se Ligji për Zgjedhje e ka përcaktuar qartë se cili deputetë dhe si duhet zëvendësuar.

I të njëjtit mendim ishte dhe Arianit Elashani nga PDK, i cili tha se neni 112 i Ligjit për Zgjedhje është i kujdesshëm për dy gjinitë.

Deputetët e zëvendësuar nga Lëvizja Vetëvendosje janë Enver Haliti, i cili zëvendëson Albin Kurtin, Alban Hyseni zëvendëson Glauk Konjufcën, Arta Bajralija zëvendëson Albulena Haxhiun, Fitim Haziri zëvendëson Arben Vitia dhe Eman Rrahmani zëvendëson Haki Abazin.

Ndërsa, nga LDK Hatim Baxhaku zëvendëson Anton Qunin; Fidan Rekaliu zëvendëson Lumir Abdixhikun; Xhavit Uka zëvendëson Avdullah Hotin, Besa Gaxherri zëvendëson Hykemete Bajramin dhe Shkumbin Gashi zëvendëson Besian Mustafën. Ndërsa nga NOVA DEMOKRATSKA STRANKA, Zikreta Aliti zëvendëson Emilija Redzepi./