​Zbulohet biseda e fundit e pilotit nga helikopteri i Bryant

Vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit të helikopterit nga rrëzimi i të cilit humbën jetën Kobe Bryant, vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, dhe 7 persona të tjerë.

Hetuesit kanë bërë të ditur se kanë në dorë komunikimet e fundit të pilotit të helikopterit, i cili po merrte kuotë për të shmangur shtresën e dendur të mjegullës.

Piloti kishte kërkuar një autorizim të veçantë për të fluturuar në mjegullën e dendur pak minuta para përplasjes dhe ishte në lartësinë 427 metra mbi nivelin e detit.

Më pas, u kishte kërkuar kontrollorëve të trafikut ajror t’i ofronin një këshillues për të vijuar fluturimin, por kishte marrë paralajmërimin që helikopteri po fluturonte shumë ulët.

Rreth 4 minuta më vonë, piloti kishte njoftuar se po ngjitej për të evituar shtresën e mjegullës dhe kur është pyetur se çfarë kishte ndërmend të bënte, nuk kishte kthyer më përgjigje. 

Të dhënat e radarit tregojnë se helikopteri ishte ngjitur në kuotën 701 metra e më pas kishte rënë nga e majta.