​Vjedhja në Termocentralin Kosova A, roja u mbajt për 20 minuta nga dy të armatosurit

Një vjedhje e armatosur ka ndodhur të hënën në Termocentralin Kosova A.

Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është raportuar se persona të panjohur kanë mbajtur rojën e Teromcentralit duke e kanosur dhe fyer.

“TC Kosova A, Obiliq 30.05.2022 – 03:20. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se tek kabina ku ai bënë roje kanë ardhur dy persona me kapela në kokë dhe të armatosur, të njëjtit nën kërcënimin e armëve e kanë mbajtur ankuesin për 20 minuta duke e kanosur dhe fyer. Pasi të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes kanë vërejtur se mungon një pjesë e kabllos elektrike vlera dhe sasia ende nuk dihet. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, bëhet e ditur në komunikatë.

Vjedhje në të njëjtin termocentral ka pasur edhe një muaj më herët. Përgjatë kësaj të fundit, është vjedhur një kabllo elektrike.

“Kosova–A, Obiliq 17.04.2022-00:05. Pas marrjes së një informate për një vjedhje të kabllos elektrike nga T.C Kosova A, njësiti policor ka ndaluar veturën e dyshuar me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në bagazhin e veturës është gjetur një sasi e kabllos elektrike prej bakri –rreth 200 kg. Vetura së bashku me kabllon janë sekuestruar”, pati njoftuar Policia.