​Tahiri kërkon nga partitë të votojnë Buxhetin 2021

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Tahiri, përmes një statusi në Facebook, ka apeluar te partitë politike që të tejkalojnë dallimet partiake dhe të marrin vendim për votimin e buxhetit 2021.

Kjo pasi sipas Tahirit në të kundërtën mund të rrezikohen pagat dhe projektet e ndryshme.

Ky është statusi i tij i plotë:

Duke marrë parasysh faktin që nuk kemi arritur konsensus të plotë ndër-partiak për votimin e Ligjit për Rimëkëmbje, votimi i Buxhetit 2021 është rasti më i mirë që grupet parlamentare të flasin me një zë konsensual për interesin e përgjithshëm publik.

Partitë politike duhet të dëshmojnë se agjenda institucionale dhe publike është prioriteti i të gjithëve, dhe jo vetëm i një shumice të thjeshtë.

Rëndësia e votimit të Buxhetit 2021 qëndron mbi faktin se ky buxhet mbulon pagat, shërbimet, projektet e nisura, tema këto që tejkalojnë dallimet partiake. Andaj është koha që të marrim një kurs të ri, sipas të cilit konfirmojmë që jemi shoqëri e pjekur, e cila para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, prodhon stabilitet , duke mos pritur momentet kur forcat politike komunikojnë përmes kushtëzimeve.