​Samiti Brdo-Brioni mbahet më 12 shtator

Samiti Brdo-Brioni, një nismë e bashkëpunimit rajonal, do të mbahet më 12 shtator në Brdo afër Kranjit me pjesëmarrjen e liderëve rajonalë.

Siç njoftoi kabineti i presidentit slloven Borut Pahor, samiti do të jetë një mundësi për të rishikuar situatën aktuale në rajon dhe për t’u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të BE-së që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.

Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, tre anëtarët e Presidencës së BeH, Zhelko Komshiq, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviq, presidentët e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, Milo Gjukanoviq dhe Stevo Pendarovski, si dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Nisma e Procesit Brdo-Brioni u krijua në vitin 2010, kur kryeministrat e atëhershëm të Sllovenisë dhe Kroacisë, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor, pasi nënshkruan një marrëveshje arbitrazhi midis dy vendeve, donin të frymëzonin liderët e Ballkanit Perëndimor me shembull dhe inkurajim që të zgjidhin çështjet dypalëshe dhe të përparojnë më shpejt në rrugën e integrimit evropian.

Për më shumë se një dekadë, nisma Brdo-Brioni është vendosur si iniciativa më e rëndësishme politike e këtij lloji në Evropën Juglindore dhe më vonë prej saj doli Procesi i Berlinit, sipas njoftimit të Presidentit të Sllovenisë.