​Punoi për amerikanët, talibanët dënojnë me vdekje vëllain e përkthyesit afgan

Talibanët kanë dënuar me vdekje vëllain e një përkthyesi afgan që kishte punuar për forcat amerikane.

Vendimi me shkrim, i siguruar nga CNN, dëshmon qartë se amnistia e ofruar prej militantëve për kundërshtarët dhe personat që bashkëpunuan me të huajt, nuk është gjë tjetër veçse hi syve për botën. Akuzat ndaj personit të shënjestruar janë se ka ndihmuar vëllain e tij që punonte në krah të ushtarëve të SHBA-së.

Letra është shembulli më i fundit i kërcënimit që i kanoset drejtpërdrejt afganëve apo familjarëve të tyre për shkakun e vetëm se kanë punuar me organizmat e huaj.

Talibanët janë treguar të përmbajtur në Kabul, ku nuk ka dhunë dhe vrasje të përhapura. Por, jashtë kryeqytetit, larg syve të botës, ata kanë vrarë, burgosur dhe rrahur ish-punonjësit qeveritarë, ushtarë dhe afganë që kanë punuar për forcat e huaja.

Në këto zona, militantët kanë rivendosur shumë prej ligjeve të tyre shtypëse, pavarësisht se më 17 gusht u zotuan të mbrojnë të drejtat e grave dhe lirinë e mediave, që kishin shënuar përparime të mëdha këto 20 vitet e fundit.

Tani grave atje i ndalohet të dalin nga banesa nëse nuk shoqërohen nga një i afërm mashkull dhe po ashtu u ndalohet që të punojnë jashtë shtëpive të tyre.