​Osmani ia dorëzon “Urdhrin e lirisë” Doris Pack

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi sot anëtares shumëvjeçare të Bundestagut gjerman dhe Parlamentit Evropian Doris Pack “Urdhrin e lirisë”, të cilin ia kishte ndarë ish-presidenti Ibrahim Rugova më 2004, për kontributin e jashtëzakonshëm të saj për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Osmani me këtë rast e falënderoi Pack për angazhimin e saj të gjatë në njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Roli juaj ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë rrugëtimin tonë. Duke filluar nga fundi i viteve ’80 e këtej ju keni qenë promovuese e madhe e së drejtës sonë për liri. Pas çlirimit të vendit, ju i keni shërbyer njohjes dhe promovimit të shtetësisë së Kosovës”, tha Osmani.

Osmani dhe Pack diskutuan për procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, si dhe hapat që po i ndërmerr Kosova për ta përshpejtuar integrimin e saj euroatlantik.

Nga ana tjetër, Pack, anëtare shumëvjeçare e Bundestagut gjerman dhe e Parlamentit Evropian, si dhe kryetare e Forumit të Gruas të Partive Popullore Evropiane, tha se i kupton shumë mirë sfidat me të cilat vendi ynë ballafaqohet ende, sfida të kuptueshme për një shtet të ri sikur Kosova.

“Për ta njohur mirë Kosovën, secili duhet ta kuptojë të kaluarën e saj”, tha Pack.

Ajo shprehu edhe një herë kënaqësinë e saj që ka mundur t’i shërbejë popullit të Kosovës, me të cilin tha se e lidh një miqësi e hershme.