​Një muaj paraburgim për Xhabir Zharkun

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit Xhabir Zharkut, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare.

Sipas komunikatës së gjykatës, i pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare.

“Andaj Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në komunikatë