​Meta: Palët duhet t’u krijojnë mundësinë shqiptarëve të shprehin sovranitetin më 13 tetor

Presidenti shqiptar Ilir Meta vazhdon të këmbëngulë në nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të trefishta më 13 tetor të këtij viti në Shqipëri, për të garantuar sipas tij hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së.

“30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë” shkruan zoti Meta në një status në Facebook.“Nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.

Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor”. “KOHA ËSHTË TANI! Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!” paralajmëron presidenti Ilir Meta.

Reagimi i Metës vjen ndërsa mazhoranca e majtë ka nisur me vendosmëri procesin e shkarkimit të kreut të shtetit pasi e ka akuzuar se ka shkelur kushtetutën duke miratuar dekretin fillimisht për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, e më pas mbajtjen e tyre më 13 tetor. Mazhoranca e majtë është shprehur kategorikisht kundër.