​Kurti emëron edhe dy këshilltarë politikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Fëllanza Podrimja dhe Elvis Hoxha si këshilltarë politikë.

Podrimja ka përfunduar studimet Master për shkenca politike me theks të veçantë në Evropën Lindore dhe marrëdhëniet transatlantike, në Universitetin e Ludwig Maximilian të Munihut.

Para se të kthehej në Kosovë, ajo ka punuar disa vite si këshilltare politike në Berlin ku njëherësh është njohëse e institucioneve të politikë-bërjes në Gjermani dhe BE.

Elvis Hoxha është i diplomuar në inxhinieri kimike në Universitetin e Tiranës, dhe më pas në filozofi, në Universitetin Paris-8, në Francë. Ka ligjëruar filozofinë politike dhe estetikën në Universitetin Paris-8 dhe në disa universitete të Tiranës.

Është autor i disa eseve në lidhje me implikimet e politikës, artit dhe historisë me filozofinë, si dhe përkthyes i mbi dhjetë librave nga autorët më të njohur të filozofisë bashkëkohore franceze.

Aktualisht është drejtor ekzekutiv i Institutit Politik të Studimeve Humane me qendër në Tiranë.