​Koordinatori i Shtetit Islamik në Irak përballet me dënim me vdekje

Shërbimi irakian kundër terrorizmit njoftoi sot se ka arrestuar koordinatorin e Grupit të Shtetit Islamik (ISIS), një irakian i njohur si Abu Naba, pasi zbriti nga një aeroplan në Bagdad.

“Ai u arrestua në tetor ndërsa po hynte në një taksi pasi zbriti nga një aeroplan që aterroi në aeroportin e Bagdadit”, tha Sabah al-Noaman, një zëdhënës i njësisë elite të antiterrorizmit për AFP.

Ai megjithatë nuk tregoi identitetin e vërtetë të Abu Naba, nga vinte ose si mund të udhëtonte, edhe pse kërkimet po vazhdonin në Irak.

Abu Naba ishte një “shënjestër e madhe”, një njeri i cili filloi udhëtimin e tij xhihadist me Al-Kaidën në vitin 2003 dhe më vonë u bashkua me grupe të ndryshme. ISIS kontrollonte pothuajse një të tretën e Irakut për një kohë, por u shtyp në fund të 2017 pas luftimeve të përgjakshme trevjeçare.

“Ai ka qenë në kontakt me anëtarët e ISIS në Irak dhe ne kemi ndjekur komunikimin e tyre për një kohë të gjatë. Abu Naba merrej me financat, duke dërguar mesazhe dhe duke organizuar takime,” tha Al-Noaman.

Abu Naba ishte “koordinatori kryesor” i organizatës, e cila është në prag të zhdukjes sot, pasi humbi “kalifatin” e vetëshpallur në Siri në vitin 2019.

Ai përballet me dënimin me vdekje vetëm për anëtarësimin në një organizatë terroriste.

Qindra dënime me vdekje u janë dhënë luftëtarëve irakianë dhe të huaj të ISIS në Irak vitet e fundit, dhe disa janë kryer tashmë me varje. Pavarësisht shpalljes së fitores në dhjetor 2017, ISIS është ende duke kryer sulme në Irak, megjithëse në një shkallë më të vogël se më parë.

Dhjetë njerëz u vranë të shtunën në një pritë të ngritur nga xhihadistët në Bagdadin verior dhe dhjetë ditë më parë, njëmbëdhjetë njerëz u vranë në bombardimet pranë kryeqytetit.