​Komisioni kthen prapa projekt-statutin e Trepçës

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka kthyer prapa projekt-statutin e Trepçës, pas vërejtjeve që dhanë deputetët e këtij komisioni, përcjell KosovaPress.

Aty poashtu u vendos që raporti i Panelit për zgjedhjen e Bordit të KOSTT t’i kalojë Kuvendit që të zgjedhë 6 anëtarë, nga 12 sa janë në listën e ngushtë.Deputetët kërkuan nga Bordi i Trepçës që të sjellë para tyre një dokumentacion të plotë dhe, jo me orare të takimeve siç konsideruan të jetë draft-statuti i paraqitur. Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu tha se statuti i marrë është i njëjtë me atë që ka qenë më parë. “Le ta bëjë bordi statutin.

Nëse na i shtimë duart në statut, atëherë në hyjmë në një grup të gjerë heterogjen, ku edhe mund të bëhen gabime. Pse ne me bë amendamente? Është rrugë me e gjatë”, tha ai. Kurse, kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha – Shala, tha se Kuvendi miraton edhe statute. Teksa tha se zërat kundërshtarë nuk ja duan të mirën as Trepçës e as vendit. Edhe deputetja Hykmete Bajrami nga LDK-ja u shpreh e pakënaqur me draft-statutin e marrë. Ndërsa deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu theksoi problemet që ka ky draft-statut. “Nëse shkojmë faqe për faqe e shohim që nuk ka përputhje në mes të shtyllave. Vetëm na sillni kolonën e tretë dhe ne e përcjellim në Kuvend”, tha Sejdiu.

Deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj pyeti anërarët e bordit të Trepcës se pse nuk kanë sjelllur një draft-statut të plotë.
Pas kësaj, anëtari i bordit, Naser Peci tha se është e vështirë me u përfshi të gjitha në një draft-statut, mirëpo theksoi se kolona e tretë është shumë e përafërt me atë që është arritur marrëveshja.
Kryetari i Sindikatës të Trepçës, Shyqiri Sadiku tha se për krejt këto zvarritje përgjegjës është bordi i sindikatës, pasi nuk ka dashur t’i fus në statut vërejtjet që sindikata u ka dhënë.