Në seancën e së mërkurës, gjykata ka gjobitur me 250 euro mbrojtësin e të akuzuarit Orges Zhugolli, avokatin Naim Rudarin, ndërsa ky i fundit ka kërkuar përjashtimi i kryetarit të trupit gjykues, Ertan Sejfulla.

Në këtë rast i akuzuari Zhugolli, ngarkohet se kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion.

Fillimisht në seancë është dëgjuar dëshmia e njërit nga dëshmitarët e rastit i cili kishte qenë prezent në veturë me tani të ndjerin A.Zh, në ditën kritike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dëshmisë së tij, mbrojtësi i të akuzuarit Zhugolli, avokati Rudari ka kërkuar nga trupi gjykues që dëshmitarët e prokurorisë të ridëgjohen duke i ballafaquar me video-inçizimin në të cilin janë të dokumentuara pamjet e kësaj ngjarje.

Një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga prokurorja e shtetit, Bukurije Gjonbalaj me arsyetim se prova të cilën e ka propozuar mbrojtësi është provë që do të administrohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Kërkesa e tillë nga avokati Rudari, është refuzuar nga trupi gjykues.

Tutje, avokati Rudari, ka vënë dyshime mbi deklaraten e dëshmitarit, duke kërkuar nga prokuroria të nisë hetime.

“Kam vërejt për deklarime të rreme të dëshmitarit nën betim para trupit gjykues, me çka i kërkojmë prokurorisë të bëjë ndjekje penale ndaj dëshmitarëve që kanë bërë deklarime të rreme”, ka deklaruar Rudari.

Lidhur me këto pretendime fillimisht trupi gjykues i ka tërhequr vërejtjen avokatit Rudari që të mos paragjykohet, mirëpo avokati Rudari vazhdoi me insistimin e tij se deklarata e dëshmitarit është e rreme.

Avokati Rudari, duke mos iu bindur urdhërave të kryetarit të trupit gjykues, u dënua me gjobë prej 250 euro për prishje të rendit dhe qetësisë dhe mosbindjes së urdhërave të kryetarit të trupit gjykues.

Ndërkaq, avokati Rudari pas gjobës së marrë konsideroi se nuk po iu mundësohet mbrojtje e dinjitetshme e të akuzuarit dhe se kjo procedurë e zhvilluar vë në dyshim paanshmërinë e gjykatës, andaj i njëjti fillimisht kërkoi përjashtimin e trupit gjykues.

“…për faktin se unë doja ta arsyetoj të drejtën time, unë tani mbështetem te neni 38, paragrafi 3, kërkoj përjashtimin e trupit gjykues nga kjo çështje, meqenëse nuk po na mundësohet mbrojtja e dinjitetshme e të akuzuarit dhe se procedura sot e zhvilluar në gjykatë vë në dyshim paanshmërinë në këtë çështje”, deklaroi Rudari.

Pas këtij deklarimi, reagoi anëtari i trupit gjykues Naser Foniqi duke iu drejtuar mbrojtësit të të akuzuarit, duke i bëre me dije se trupi gjykues nuk vendos për shqiptimin e ndonjë mase mbrojtëse dhe se kjo kompetencë i takon vetëm kryetarit të trupit gjykues.

Lidhur me deklarimin e anëtarit të trupit gjykues, Naser Foniqi, avokati Rudari bëri plotësim të kërkesës ku kërkoi që kërkesa e tij për përjashtim të bëhet vetëm në drejtim të kryetarit gjykues.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues Ertan Sejfulla, mori aktvendim që të ndërpritet seanca dhe e njëjta të shtyhet deri në një vendim lidhur me kërkesën e mbrojtësit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi